top of page

Sony i jep fund epokës së disqeve: Lojërat për PlayStation do të jenë vetëm dixhitale nga viti 2028

  • 2 days ago
  • 2 min read

Sony ka njoftuar se do të ndalojë prodhimin e disqeve fizike për konsolat PlayStation dhe do të kalojë plotësisht në formatin dixhital duke filluar nga janari i vitit 2028.


Pas përfundimit të prodhimit të disqeve fizike, të gjitha lojërat e reja për PlayStation do të jenë të disponueshme vetëm në format dixhital përmes PlayStation Store, si dhe përmes shitësve të autorizuar që ofrojnë kode dixhitale.


Ky ndryshim nuk do të ndikojë te lojërat që janë publikuar tashmë në disk apo ato që do të lansohen para janarit 2028.


“Ky është një hap natyral për Sony Interactive Entertainment, për t’iu përshtatur ndryshimit të preferencave të konsumatorëve, pasi kërkesa për media dixhitale tashmë ka tejkaluar ndjeshëm përdorimin e disqeve fizike,” thuhet në deklaratën e kompanisë.


Sipas Sony, ky tranzicion do t’i mundësojë kompanisë të përshtatet më mirë me mënyrën se si shumica e lojtarëve preferojnë të blejnë, shkarkojnë dhe luajnë lojërat sot.

Sony, e themeluar në Japoni në vitin 1946 me emrin Tokyo Tsushin Kogyo K.K., prezantoi konsolën e parë PlayStation në vitin 1994 – një pajisje ikonike gri me lexues CD-ROM. Që atëherë, kompania ka sjellë disa gjenerata të PlayStation, ndërsa modeli më i fundit është PlayStation 5.


Ky njoftim vjen pak para publikimit të shumëpritur të Grand Theft Auto VI, i cili sipas analistëve pritet të jetë një nga lansimet më fitimprurëse në historinë e industrisë së argëtimit. Fansat kanë pritur për këtë lojë për më shumë se një dekadë, pasi Grand Theft Auto V u publikua në vitin 2013.


Ndërkohë, tendenca globale tregon një rënie të vazhdueshme të kërkesës për media fizike.


Sipas Mat Piscatella, drejtor i lartë dhe këshilltar për industrinë e videolojërave në Circana, lojtarët shpenzuan vetëm 1.5 miliardë dollarë për blerjen e videolojërave të reja në format fizik gjatë vitit 2025 – niveli më i ulët që nga viti 1995.


Për krahasim, shpenzimet për lojërat fizike arritën kulmin në vitin 2008, duke kapur vlerën e 11.6 miliardë dollarëve.


Kalimi i Sony drejt një ekosistemi plotësisht dixhital shihet si një ndryshim historik që mund të transformojë përfundimisht mënyrën se si industria e videolojërave shpërndan dhe shet produktet e saj.

“KORÇA BOOM”


bottom of page