top of page

SPAK zbulon pasurinë marramendëse të Ermal Beqirajt në Francë: Llogari me miliona, apartamente dhe një kështjellë

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar detaje të reja lidhur me arrestimin e biznesmenit Ermal Beqiraj në Francë, duke zbuluar se gjatë hetimeve janë identifikuar pasuri me vlerë miliona euro, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale.


Sipas njoftimit zyrtar, ndaj Beqirajt po zhvillohen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tendera publikë, grup i strukturuar kriminal, pastrim parash dhe korrupsion aktiv.


Me vendim të Gjykatës së Posaçme, ndaj Ermal Beqirajt dhe një personi tjetër ishte caktuar masa e sigurisë "arrest në burg", ndërsa më pas ata u shpallën në kërkim ndërkombëtar me "Red Notice" nga Interpol.


SPAK bën të ditur se më 19 qershor 2026 kërkoi ndihmën e autoriteteve franceze, pasi kishte informacione se Beqiraj ndodhej në Francë. Pas bashkëpunimit mes strukturave shqiptare dhe franceze, u konfirmua vendndodhja e tij dhe nisën hetime të thelluara financiare.


Autoritetet franceze zbuluan se Beqiraj zotëronte pasuri të konsiderueshme në Francë, përfshirë llogari bankare me mbi 2 milionë euro, dy apartamente, si edhe një kështjellë në departamentin Oise, me vlerë rreth 2.6 milionë euro. Gjithashtu u identifikuan edhe mjete motorike dhe asete të tjera që dyshohet se lidhen me veprimtari kriminale.


Për këto pasuri, SPAK ka dërguar kërkesë për ndihmë juridike autoriteteve franceze me qëllim sekuestrimin e tyre, ndërsa hetimet financiare vijojnë për identifikimin e pasurive të tjera.


Arrestimi i Ermal Beqirajt u krye më 24 korrik 2026, pasi ai hyri me një avion të lehtë në hapësirën ajrore të kufizuar mbi centralin bërthamor të Penly-t në Francë dhe u detyrua të ulej në aerodromin e Albert-it. Pas ndalimit, gjykata franceze vendosi vazhdimin e paraburgimit të tij për qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë.


Po ashtu, me kërkesë të SPAK-ut, autoritetet franceze kanë ushtruar kontrolle në ambientet në pronësi të Beqirajt, ku janë sekuestruar sende që konsiderohen me interes për hetimin penal.


Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e Ermal Beqirajt nga Franca në Shqipëri, ndërsa vlerëson bashkëpunimin e autoriteteve franceze dhe shqiptare në këtë operacion të përbashkët.

“KORÇA BOOM”


bottom of page