Studentët në rrugë, Kumbaro “hap zemrën” nga ministria
Ndërsa studentët janë në rrugë dhe përplasjet e ditëve të fundit kanë shtuar shqetësimin për sigurinë e fëmijëve, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka zgjedhur të dalë me një mesazh për zemrën e hapur të institucionit që drejton.
“Zemra e ministrisë dhe zemra e të gjithë punonjësve të arsimit është e hapur për të folur”, deklaroi ajo, duke u shprehur e gatshme të dëgjojë studentët.
Një gatishmëri që tingëllon bukur në deklaratë, por që kërkon hapa konkretë për t’u kthyer në dialog. Në mesazhin e saj, Kumbaro nuk paraqiti një nismë konkrete takimi me studentët apo masa të posaçme për sigurinë e nxënësve në zonat e përfshira nga përplasjet.
Në vend të këtyre hollësive, ministrja u kërkoi prindërve të flasin me fëmijët dhe të kenë besim te mësuesit, duke theksuar se dhuna u merr kohë nga edukimi dhe jeta e tyre.
"Prandaj, të dashur prindër, kini besim te mësuesit dhe, sidomos, flisni me fëmijët, sepse çdo orë që ua merr dhuna, çdo minutë që kalojnë duke parë vandalizma në rrjetet sociale, është kohë e humbur nga jeta e tyre. Koha e tyre është për edukim, për t’u zbavitur, për të qëndruar me ju dhe me shokët" tha Kumbaro
Por prindërve, krahas këshillave për edukimin, u duhen garanci për sigurinë. Njoftimi se shkollat janë të hapura dhe mësuesit i presin nxënësit “krahëhapur” nuk e përmbush vetvetiu këtë nevojë./ vna.al
“KORÇA BOOM”
















