Tefik Osmani “shpërthen” ndaj procedurave: “Pse për Albion Rrahmanin u gjet zgjidhja, ndërsa talentet shqiptare presin?”
- 2 hours ago
- 2 min read
Një debat i fortë ka nisur lidhur me procedurat për pajisjen me pasaportë shqiptare të futbollistëve me potencial për të përfaqësuar Shqipërinë.
Kjo vihet në dukje nga një postim i Tefik Osmanit, përgjegjësit të skautizmit në FSHF, i cili i është drejtuar publikisht Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke kërkuar përgjigje për mënyrën se si po trajtohen procedurat për talentet që synojnë të veshin fanellën kuqezi.
Osmani shprehet se FSHF-ja ka dorëzuar dokumentacionin për rreth 10 futbollistë dhe futbolliste me potencial të madh, por procedurat kanë mbetur në pritje për shkak të ndryshimeve ligjore dhe VKM-së.
Në postimin e tij, Osmani sjell në vëmendje edhe rastin e Albion Rrahmanit, duke ngritur pyetjen se përse në raste të caktuara procedurat mund të përshpejtohen, ndërsa talentet që synojnë të përfaqësojnë Shqipërinë duhet të presin.
“Ne si FSHF jemi plotësisht pro që lojtarët me origjinë nga Kosova të pajisen me pasaportë shqiptare. Madje kemi punuar dhe kemi bërë marrëveshje me Italinë pikërisht që lojtarët shqiptarë të mos konsiderohen ekstrakomunitarë”, shkruan Osmani.
Por më pas ai ngre pyetjen që kërkon përgjigje:
“Si është e mundur që procedurat për një lojtar të Përfaqësueses së Kosovës, si Albion Rrahmani, mund të ecin dhe të përfundojnë, ndërkohë që dokumentacioni i lojtarëve dhe lojtareve që FSHF-ja po përpiqet t’i afrojë me Kombëtaret e Shqipërisë qëndron gjithmonë në pritje?”
Osmani thekson se nuk bëhet fjalë për kundërshtim ndaj lojtarëve të Kosovës, por për kërkesën që të njëjtat standarde dhe e njëjta shpejtësi të aplikohen edhe për talentet që mund të përfaqësojnë Shqipërinë.
Sipas tij, vonesat administrative mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta te të rinjtë, pasi ata kanë një moshë të caktuar dhe një cikël kombëtareje që nuk mund të presë pafundësisht.
“Rrezikojmë diçka shumë më të madhe se një dosje të vonuar: rrezikojmë të humbasim talente që Shqipëria i ka gjetur, i ka ndjekur dhe i dëshiron”, shkruan Tefik Osmani.
“KORÇA BOOM”
















