Temperaturat ekstreme 'i vënë flakën' Evropës Jugore: Franca i kërkon ndihmë BE-së, Spanja shpall emergjencë kombëtare
- 2 days ago
- 4 min read
Rreth 30 mijë persona janë detyruar të evakuohen nga Franca dhe Spanja për shkak të zjarreve të mëdha që po përhapen me shpejtësi, ndërsa temperaturat ekstreme dhe vala e nxehtësisë që ka përfshirë Mesdheun po rëndojnë më tej situatën në Europën Jugore. Studiuesit paralajmërojnë se, nëse kushtet aktuale vazhdojnë, nuk mund të përjashtohen skenarë edhe më të rëndë me zjarre të përmasave të paprecedenta.
Franca ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian për të përballuar situatën e krijuar nga një zjarr i madh pranë bregdetit Atlantik. Presidenti Emmanuel Macron deklaroi se situata mbetet tepër kritike, veçanërisht në rajonin Gironde në jugperëndim të vendit.
Sipas tij, Franca do të marrë mbështetje nga partnerët europianë me dy avionë zjarrfikës Canadair nga Kroacia, dy avionë Air Tractor nga Portugalia, si edhe dy helikopterë të rëndë Black Hawk nga Republika Çeke dhe Sllovakia.
Vetëm nga zjarri në bregdetin Atlantik janë evakuuar mbi 18.800 persona, mes tyre mijëra turistë që ndodheshin në kampe pushimi dhe shtëpi verore. Zjarrfikësit vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët, të cilat po përhapen në një pyll të dendur me pisha pranë fshatit Saumos, rreth 40 kilometra në perëndim të Bordosë.
Brenda pak më shumë se 24 orësh, zjarri ka përfshirë mbi 3.700 hektarë sipërfaqe pyjore. Deri tani nuk raportohen viktima, por disa banesa janë shkatërruar nga flakët. Autoritetet franceze bëjnë të ditur se mbi 800 zjarrfikës dhe katër avionë për shuarjen e zjarreve janë angazhuar në terren, megjithatë situata mbetet e pafavorshme dhe zjarri ende nuk është stabilizuar.
Shefi rajonal i shërbimit zjarrfikës, Marc Vermeulen, deklaroi se flakët po ndryshojnë drejtim në mënyrë të paparashikueshme dhe po fitojnë intensitet. Sipas tij, një nga frontet kryesore ndodhet shumë pranë zonave të banuara, ku ekipet po mbrojnë banesat njëra pas tjetrës.
Banorët e evakuuar përshkruajnë momente paniku. Patrick Martineau, 69 vjeç, tha se policia trokiti derë më derë për të urdhëruar largimin e menjëhershëm, ndërsa pushues të tjerë treguan se u njoftuan gjatë natës të përgatiteshin për evakuim.
Në zonën janë hapur nëntë qendra pritjeje, ku strehohen më shumë se 2.500 persona. Shumë rrugë, përfshirë ato që çojnë drejt gadishullit Cap Ferret, një nga destinacionet më të njohura turistike të Francës, janë mbyllur për qarkullimin normal.
Autoritetet franceze kanë nisur hetime për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga një makineri që po pastronte bimësinë në zonë.
Franca është goditur nga tre valë të forta të nxehti që prej muajit maj. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, që nga fillimi i vitit janë regjistruar mbi 12.500 zjarre.
Edhe Spanja po përballet me një situatë të rëndë. Autoritetet shpallën gjendje emergjence kombëtare në rajonin e Madridit dhe në provincën Avila, pasi disa vatra zjarri dolën jashtë kontrollit.
Në zonën e Madridit janë evakuuar rreth 10 mijë persona, ndërsa drejtimin e operacioneve e ka marrë njësia ushtarake e emergjencave. Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se qeveria ka angazhuar të gjitha burimet e disponueshme për të luftuar zjarret që kanë përfshirë Avilën, Leonin, Toledon, Madridin dhe rajone të tjera të vendit, duke u bërë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve.
Vetëm këtë vit në Spanjë janë djegur afro 125 mijë hektarë sipërfaqe, ndërsa gjatë gjithë vitit të kaluar ishin regjistruar rreth 393 mijë hektarë të përfshirë nga flakët.
Temperaturat vazhdojnë të arrijnë nivele rekord. Në qytetin Cieza, në rajonin e Murcias, termometri shënoi 44.7 gradë Celsius, ndërsa qytetet Albacete, Avila dhe Teruel regjistruan rekordet më të larta historike për muajin korrik, me temperatura deri në 42 gradë.
Ndërkohë, vala detare e nxehtësisë ka përfshirë rreth 80 për qind të sipërfaqes së Detit Mesdhe. Sipas Sistemit Mesdhetar të Monitorimit, në disa zona temperatura e ujit ka arritur deri në 5 gradë Celsius mbi mesataren e periudhës 1991-2020.
Të dhënat e Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret Pyjore tregojnë se këtë vit Bashkimi Europian ka regjistruar numrin më të lartë të zjarreve dhe sipërfaqeve të djegura për këtë periudhë të vitit. Deri më 22 korrik, sipërfaqja e djegur ishte pothuajse dy herë më e madhe se mesatarja e dy dekadave të fundit. Franca ka thyer rekord për sipërfaqen e djegur, ndërsa Franca dhe Spanja kanë regjistruar numrin më të lartë të vatrave të zjarrit.
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po krijojnë kushte gjithnjë e më të favorshme për përhapjen e zjarreve. Profesori i inxhinierisë pyjore në Universitetin e Lleidas, Víctor Resco de Dios, vlerëson se në të ardhmen Europa mund të përballet me zjarre të krahasueshme me ato të Kalifornisë ose Australisë, të cilat mund të përfshijnë qindra mijëra deri në një milion hektarë.
Parashikimet tregojnë se vala e nxehtësisë në Mesdhe do të vijojë edhe në ditët në vijim, veçanërisht nga Sardenja deri në brigjet e Greqisë, ndërsa në pjesën perëndimore të detit temperaturat pritet të bien disi, pa eliminuar rrezikun e kushteve ekstreme.
Ndërkohë, analiza të publikuara këtë javë vlerësojnë se vala e nxehtësisë e muajit qershor i ka shkaktuar bujqësisë europiane humbje prej rreth 2 miliardë eurosh, pas shkatërrimit të rreth 9 milionë tonëve prodhime bujqësore. Studiuesit theksojnë gjithashtu se ndryshimet klimatike kanë rritur ndjeshëm probabilitetin e thatësirave të forta në Europën Perëndimore dhe Lindore, duke krijuar kushte edhe më të favorshme për përhapjen e zjarreve.
“KORÇA BOOM”
















