TRAGJEDI/ Materniteti përfshihet nga flakët, humbin jetën 14 foshnja
- 1 hour ago
- 2 min read
Një zjarr me pasoja tragjike ka rënë në repartin e maternitetit dhe të të porsalindurve në spitalin e Institutit të Shkencave Mjekësore të Pakistanit (PIMS), në Islamabad, ku të paktën 14 foshnje kanë humbur jetën.
Flakët shpërthyen në katin e tretë të njësisë së shëndetit të nënës dhe fëmijës (MCH), një nga repartet kryesore të spitalit. Zëdhënësja e PIMS, Dr. Aneeza Jalil, konfirmoi se 14 të porsalindur humbën jetën, ndërsa një foshnje tjetër arriti të shpëtohej.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, me zjarrfikëse, ambulanca dhe personel të specializuar. Autoritetet njoftuan se nga ndërtesa u nxorën të paktën 19 persona, mes tyre 10 gra, shtatë fëmijë dhe dy burra.
Pas ndërhyrjes, zjarrfikësit arritën të vinin flakët nën kontroll. Personat që kishin nevojë për ndihmë mjekësore u dërguan për trajtim, ndërsa disa prej tyre u transferuan në repartet e kujdesit intensiv.
Në momentin kur shpërtheu zjarri, në repart ndodheshin gjithsej 15 foshnje të porsalindura. Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi zjarrin, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e tragjedisë.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, shprehu “pikëllim të thellë dhe keqardhje të sinqertë” për humbjen e jetëve dhe urdhëroi nisjen e menjëhershme të një hetimi.
“Një situatë e tillë me fëmijët është e pakthyeshme”, thuhet në deklaratën e zyrës së kryeministrit, i cili u shprehu ngushëllimet familjeve të foshnjave që humbën jetën.
PIMS konsiderohet një nga spitalet më të mëdha shtetërore në Islamabad, ndërsa njësia e shëndetit të nënës dhe fëmijës ka një kapacitet prej 156 shtretërish.
Tragjedia ka rikthyer edhe një herë shqetësimet për sigurinë ndaj zjarreve në Pakistan.
Vendi është përballur me disa incidente të rënda të këtij lloji gjatë viteve të fundit, ndërsa mangësitë në zbatimin e standardeve të sigurisë së ndërtesave janë ngritur vazhdimisht si problem.
“KORÇA BOOM”
















