Tragjedi, humb jetën futbollistja 20-vjeçare
- 1 day ago
- 1 min read
Një histori prekëse ka tronditur botën e sportit dhe opinionin publik. Mes viktimave të krizës së migracionit në Ceuta është edhe Faten Ben Amar El Azizi, futbollistja 20-vjeçare nga Maroku, e cila humbi jetën teksa përpiqej të kalonte me not drejt Spanjës në kërkim të një jete më të mirë.
Faten ishte pjesë e ekipit të femrave të Moghreb Atlético Tetuán, ku konsiderohej një lojtare me të ardhme premtuese. Në një deklaratë prekëse, klubi i saj theksoi se ajo nuk ndiqte famën apo aventurën, por ëndërronte një jetë më të mirë dhe një të ardhme që besonte se e priste në anën tjetër të kufirit.
"Ajo nuk kërkonte famë apo aventurë, por një jetë më të mirë dhe një të ardhme që besonte se e priste në anën tjetër të kufirit", thuhet në reagimin e klubit, i cili e cilësoi udhëtimin e saj si një përpjekje për të hapur një derë të re drejt së ardhmes.
Edhe Unioni Maroken i Futbollistëve Profesionistë reagoi pas lajmit tragjik, duke shprehur ngushëllimet për familjen e 20-vjeçares dhe komunitetin sportiv.
Kriza e migracionit në Ceuta vazhdon të marrë jetë njerëzish, ndërsa historia e Faten Ben Amar El Azizi është kthyer në simbol të ëndrrave të ndërprera tragjikisht në kërkim të një jete më të mirë.
“KORÇA BOOM”
















