Tragjedi në futboll / Ndërron jetë ish-portieri i Juventus dhe Arsenalit
- 4 days ago
- 1 min read
Një lajm tragjik ka tronditur botën e futbollit, pasi ish-portieri i Arsenal dhe Juventus, Alex Manninger, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Austri.
Sipas mediave lokale, ngjarja ka ndodhur në rajonin e Salzburgut, pranë Nussdorf am Haunsberg, ku automjeti i tij është përplasur nga një tren teksa po kalonte një kryqëzim hekurudhor. Përplasja ka qenë fatale, duke e tërhequr makinën disa metra.
Ekipet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë përpjekje për t’i dhënë ndihmën e parë ish-portierit, i cili është nxjerrë nga automjeti, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë. Raportohet se ai ndodhej i vetëm në makinë në momentin e aksidentit, ndërsa drejtuesi i trenit dhe pasagjerët nuk kanë pësuar lëndime.
Autoritetet austriake kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Klubi i tij i parë, Austria Salzburg, ka reaguar me një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e ish-lojtarit dhe duke i qëndruar pranë familjes së tij.
Gjatë karrierës së tij, Manninger u bë i njohur si portieri i parë austriak që luajti në Premier League me Arsenal në vitin 1997, ku fitoi titullin kampion dhe FA Cup. Ai ka luajtur gjithashtu për klube të tjera të njohura si Juventus, Udinese, Torino dhe Augsburg.
Në nivel kombëtar, ai regjistroi 33 paraqitje me përfaqësuesen e Austrisë dhe ishte pjesë e skuadrës në Euro 2008, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe të respektuar në futbollin evropian.
“KORÇA BOOM”
















