top of page

Tragjedi në Greqi, shpërthimi në rafineri i merr jetën shqiptarit, një tjetër në gjendje të rëndë

Oct 9
1 min read

Tragjedi në Greqi, shpërthimi në rafineri i merr jetën 43-vjeçarit shqiptar, një tjetër në gjendje të rëndë.


Një shpërthim i fuqishëm në rafinerinë “Motor Oil”, në Agioi Theodoroi të Greqisë, është kthyer në tragjedi për dy punëtorë shqiptarë. Si pasojë e ngjarjes, njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.


Viktima është identifikuar si Robert Cakaj, 43 vjeç, ndërsa i plagosuri është Dorian Hysa, 50 vjeç, i cili vijon të marrë trajtim mjekësor në spital.


Sipas raportimeve të mediave greke, shpërthimi ndodhi pak pas orës 11:00 të së premtes, gjatë punimeve të mirëmbajtjes parandaluese në ambientet e rafinerisë. Ngjarja shkaktoi plagosjen e disa punëtorëve, dy prej të cilëve u raportuan fillimisht në gjendje të rëndë.


Pas incidentit, të plagosurit u transportuan në Spitalin e Korinthit, ku morën ndihmën e parë mjekësore. Më pas, ata u dërguan në spitalin Thriasio për trajtim të specializuar.


Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 43-vjeçari Robert Cakaj nuk arriti t'u mbijetonte plagëve të marra. Ndërkohë, 50-vjeçari Dorian Hysa vijon të trajtohet i intubuar, në gjendje të rëndë.


Autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të shpërthimit dhe shkaqet që çuan në këtë ngjarje të rëndë në një prej rafinerive të Greqisë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page