TRAGJEDI/ Shuhet 16-vjeçari nga Kapshtica që ëndërronte të bëhej futbollist
- Jun 9
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi dhe banorët e Kapshticës, pasi 16-vjeçari Emiljo Gavri humbi jetën në një aksident tragjik rrugor në zonën e Kastorias.
I riu, me origjinë nga Kapshtica e Korçës, jetonte prej vitesh në Greqi së bashku me familjen e tij. Ai ishte një adoleshent plot ëndrra dhe ambicie, ndërsa miqtë dhe të afërmit tregojnë se dëshira e tij më e madhe ishte të bëhej futbollist dhe të ndërtonte një karrierë në sportin që e dashuronte.
Sipas informacioneve paraprake, një grup të rinjsh, mes tyre një i rritur dhe katër të mitur, po udhëtonin me një mjet bujqësor në zonën Dasaki të Mesopotamisë, kur mjeti doli nga rruga dhe u përmbys për shkaqe që mbeten ende nën hetim.
Për Emiljon, fatkeqësisht, aksidenti rezultoi fatal. 16-vjeçari humbi jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra, ndërsa katër personat e tjerë u transportuan me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë greke dhe ekipet e emergjencës, të cilat po hetojnë rrethanat e aksidentit. Ndërkohë, autoritetet kanë hedhur poshtë versionet e para që lidhnin ngjarjen me shmangien e një kafshe të egër në rrugë.
Humbja e 16-vjeçarit ka prekur thellë familjarët, miqtë dhe bashkëmoshatarët e tij. Në rrjetet sociale janë publikuar dhjetëra mesazhe prekëse, ku Emiljo kujtohet si një djalë i qeshur, i sjellshëm dhe me ëndrra të mëdha për të ardhmen, mes të cilave spikaste dëshira për t’u bërë futbollist.
“KORÇA BOOM”
















