top of page

Trajneri Gjoka pas eliminimit: Mendoj se bëmë mirë, test për të ardhmen

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 10 hours ago
  • 1 min read

Trajneri i Skënderbeut, Ernest Gjoka, e ka cilësuar duelin ndaj Tiranës në Kupë si një test gjeneral për skuadrën, pas eliminimit të korçarëve me golat e shtesës. Megjithëse ekipi i tij nuk arriti të kalojë turin, Gjoka nuk shprehu peng ndaj rezultateve.


“Të vjen keq se erdhi momenti që me pak kujdes edhe mund ta kalonim këtë ndeshje. Por gjithsesi ky ishte një test i mirë për ne, sepse vëmendja dhe përqendrimi është aty ku kemi marrë përsipër disa objektiva,” tha Gjoka. Ai shtoi se pjesa e dytë e ndeshjes ishte më e lirë për skuadrën dhe kishte më shumë frymëmarrje, ndërsa pjesa e parë ishte e vështirë, pasi Tirana kishte disa lojtarë debutues që nuk njiheshin nga ekipi i Skënderbeut.


Trajneri vlerësoi performancën e skuadrës: “Mendoj se skuadra bëri mirë disa pjesë loje. Po të kishim qenë pak më cinikë para portës, ndoshta sot do e kishim fituar ndeshjen. Por e uroj Tiranën dhe i uroj suksese në vazhdim.”


Gjoka theksoi se ndeshja nuk ishte çështje personaliteti, por një mundësi për të testuar forcat e skuadrës, lojtarët dhe për të parë ku ndodhemi për të ardhmen. Ai vuri në dukje se edhe po të mos ishte ndeshja e Kupës, ekipi do të kishte zhvilluar një miqësore, por kjo ndeshje zyrtare ishte një test më i mirë se çdo ndeshje tjetër.


“Nuk mund të kishim gjetur një test më të mirë se ky,” përfundoi Gjoka për RTSH pas ndeshjes.

"KORCA BOOM"


bottom of page