Tre raste në Korçë dhe Pogradec: Arrestim për dhunë në familje, kanosje mes të miturave dhe hetim për aksident në punë
- 9 hours ago
- 1 min read
Policia e Korçës ka ndërmarrë disa veprime procedurale në kuadër të goditjes së paligjshmërisë dhe zbardhjes së rasteve të ndryshme të shkeljeve të ligjit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kapën dhe ndaluan një shtetas të shpallur në kërkim, P. M., 62 vjeç, banues në fshatin Liqenas, bashkia Pustec. Ai ishte në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.
Sipas policisë, 62-vjeçari dyshohet se, në kundërshtim me vendimin e gjykatës, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje, si dhe ndaj djalit të saj.
Ndërkohë, materialet iu referuan Prokurorisë edhe për një 17-vjeçare, banuese në Korçë, për veprën penale “Kanosja për të mos kallëzuar”. Sipas hetimeve paraprake, e mitura dyshohet se ka kanosur nëpërmjet telefonit një 14-vjeçare, me qëllim që kjo e fundit të tërhiqte kallëzimin e bërë ndaj një shoqeje të saj, me të cilën kishte pasur konflikt.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” ndaj shtetasit D. B., 46 vjeç, banues në Pogradec.
Ai është drejtues teknik në një subjekt që merret me instalimin e paneleve fotovoltaike dhe dyshohet se, për shkak të mungesës së masave të sigurisë në punë, është dëmtuar në dorë gjatë punës një nga punonjësit e subjektit, shtetasi F. M., 36 vjeç, gjithashtu banues në Pogradec.
Materialet procedurale për këto raste i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
"KORCA BOOM"
















