U shpreh pesimist për të ardhmen e Parashqevisë, Ilirjani ndryshon mendim: Zotohem që gjithçka do ta financoj unë
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 2 min read
Shpesh herë Elton Ilirjani është shprehur pesimist për të ardhmen e Parashqevi Simakut. Madje, herën e fundit që foli për të, ai tha se ka ‘përshtypjen se këngëtarja do përfundojë sërish në rrugë, pasi nuk ka më një investitor dhe nuk pranon të kurohet’:
“Parashqevi Simaku rrezikon të kthehet aty ku ishte, e pastrehë! Situata e saj është shumë e vështirë. Nuk ka asnjë përmirësim, nuk merr trajtim mjekësor, doli nga spitali dhe nuk është mirë. Një person që rri gjithë ditën në shtëpi humbet motivimin,” deklaroi Ilirjani, duke shtuar se ndihmat e rastësishme nuk janë të mjaftueshme.
Por duket se ‘shpëtimtari’ i saj ka ndërruar mendim.
Ilirjani ka reaguar publikisht në rrjetet sociale duke dhënë një premtim të fortë për të ardhmen e Parashqevi Simakut. Ai është zotuar se do të mbulojë çdo shpenzim financiar të artistes, nga qiraja e banesës, te jetesa e përditshme dhe çdo nevojë tjetër, duke garantuar se ajo nuk do të përballet më kurrë me pasiguri apo jetë në rrugë.
“Të kam shumë xhan! Ti nuk do të jesh kurrë më në rrugë apo në probleme. Zotohem që çdo gjë do të financohet nga unë personalisht: qiraja e shtëpisë, jetesa jote e përditshme dhe çdo gjë tjetër që do të të duhet,” është shprehur Ilirjani, duke shtuar:“Ne nuk kemi më nevojë për asgjë tjetër.”
Ky reagim ka ardhur për t’i dhënë fund shqetësimeve dhe pikëpyetjeve që kishin lindur mbi stabilitetin e jetës së Parashqevi Simakut, edhe pas përmirësimeve të fundit në situatën e saj personale.
Rreth një vit më parë, pamjet e Parashqevi Simakut në një televizion amerikan kishin shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik shqiptar. Ikona e muzikës shqiptare u shfaq me emrin “Nolfe”, duke rrëfyer një realitet të dhimbshëm: jetesën në rrugë dhe luftën e përditshme për mbijetesë, larg famës dhe lavdisë së dikurshme.
Rrëfimi i saj preku thellë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, duke nxitur reagime emocionale dhe valë solidariteti në rrjetet sociale.
Viti 2025 solli një ndryshim të rëndësishëm për artisten. Ajo u ribashkua me djalin e saj, Lukën, dhe arriti të sigurojë strehim në Manhattan, falë ndihmës së një biznesmeni kosovar. Ky zhvillim u prit si një hap drejt normalitetit dhe sigurisë.
Megjithatë, pavarësisht këtij progresi, frika e rikthimit në një realitet të vështirë dhe mungesa e një garancie afatgjatë vazhdonin të shqetësonin publikun dhe dashamirësit e saj.
Me deklaratën e tij të fundit, Elton Ilirjani ka dhënë një siguri publike dhe konkrete, duke garantuar se Parashqevi Simaku tashmë ka një mbështetje të qëndrueshme dhe të pandërprerë./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”



















