top of page

Euro zhvlerësohet sërish, eksperti tregon çfarë duhet të bëjnë shqiptarët me kursimet

8 minutes ago
1 min read

Tregu i valutës në Shqipëri po përballet me një tjetër zhvlerësim të euros, ndërsa monedha europiane vijon të humbasë pikë përballë lekut.


Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet me 91.54 lekë. Të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë gjithashtu se euro ka shënuar një tjetër rënie në kursin e këmbimit.


Në tregun e lirë, rënia është edhe më e theksuar, me euron që në disa pika të këmbimit valutor këmbehet rreth 91 lekë.


Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, e lidh presionin mbi euron me ofertën e shtuar të valutës, duke përmendur ndër të tjera turizmin, remitancat dhe burime të tjera të të ardhurave valutore.


Rënia e euros ngre gjithashtu pikëpyetje për qytetarët që kanë të ardhurat apo kursimet e tyre në monedhën europiane.


Sipas Gjokutajt, qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm dhe të mos marrin vendime të nxituara vetëm për shkak të lëvizjeve të momentit në kursin e këmbimit. Ai sugjeron që, në një perspektivë afatmesme, kursimet të diversifikohen edhe në monedha të tjera, në varësi të nevojave dhe planeve financiare.


Eksperti thekson gjithashtu se zhvlerësimi i euros në Shqipëri nuk nënkupton domosdoshmërisht zhvlerësimin e saj në tregun europian.


Nga ana tjetër, euro e dobët ka ndikim pozitiv për shërbimin e borxhit publik dhe për importet. Megjithatë, ekspertët kanë kërkuar një vëmendje më të madhe nga institucionet për mënyrën se si ky zhvlerësim reflektohet në çmimet e produkteve të importuara, veçanërisht në tregun e ushqimeve.

“KORÇA BOOM”


bottom of page