Ulen çmimet e karburanteve, ja sa do të paguani nga sot për naftën dhe benzinën
Bordi i Transparencës ka rikthyer kontrollin mbi çmimet e karburanteve, duke vendosur uljen e çmimit të naftës dhe benzinës.
Sipas vendimit të marrë më 19 shtator 2026, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin është përcaktuar në 219 lekë për litër, nga 229 lekë që ishte më parë. Ndërkohë, benzina ka pësuar një ulje më të ndjeshme, duke zbritur në 195 lekë për litër, nga 219 lekë.
Për shitjen me shumicë, çmimi maksimal i gazoilit është përcaktuar në 207 lekë për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me shumicë me jo më shumë se 183 lekë për litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi më 19 shtator, në orën 16:00, dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të shqyrtohen ndryshimet e çmimeve në treg.
Bordi ka tërhequr vëmendjen e operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të vendimit, duke paralajmëruar pezullim të aktivitetit në rast të shkeljeve të konstatuara.
Rikthimi i Bordit të Transparencës erdhi pas rritjes së fortë të çmimeve të naftës dhe benzinës. Tre ditë më parë, qeveria miratoi vendimin për ringritjen e këtij mekanizmi.
Sipas të dhënave të bëra publike, Bordi u mblodh për herë të parë pas rikthimit të tij dhe përcaktoi çmimet e reja për tregun e karburanteve.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kanë deklaruar se synojnë mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
“KORÇA BOOM”
















