Ujë i ndotur me fekale/ Zbulohet shkaku i helmimit të fëmijëve në kopshtit nr. 10
Një situatë shqetësuese është raportuar në qytetin e Vlorës, ku analizat e ujit të marrë nga depozita e kopshtit nr. 10 kanë zbuluar prani të ndotjes fekale, duke ngritur pikëpyetje për sigurinë e ujit të përdorur në këtë institucion.
Problematika ka dalë në pah pas paraqitjes në spital të disa fëmijëve me shqetësime shëndetësore, të cilët dyshohet se kishin konsumuar ujë në ambientet e kopshtit.
Sipas informacioneve të raportuara, analizat fillestare të mostrave të ujit kanë evidentuar prani të amoniakut dhe mungesë të klorit, ndërsa analizat e mëvonshme kanë konstatuar edhe ndotje fekale.
Paralelisht me këtë situatë, në Spitalin Rajonal të Vlorës raportohet se është shtuar numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për simptoma diarreje. Mes personave që janë paraqitur për trajtim ka si fëmijë, ashtu edhe të rritur.
Prania e baktereve si E. coli në ujin e pijshëm mund të tregojë ndotje fekale dhe të përbëjë rrezik për shëndetin. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse rastet e pacientëve me probleme gastrointestinale kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ndotjen e konstatuar në depozitën e kopshtit.
Ndërkohë, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Vlorë po vijon monitorimin e rrjetit të ujësjellësit, duke kryer analiza të ujit çdo dy orë.
Sipas të dhënave të deritanishme, mostrat e marra më parë drejtpërdrejt nga rrjeti i ujësjellësit kanë rezultuar të pastra, ndërsa problematika është evidentuar në depozitën e ujit të kopshtit nr. 10.
Ende mbetet e paqartë nëse ndotja është e kufizuar vetëm në depozitën e këtij institucioni apo nëse mund të ketë prekur edhe pika të tjera të furnizimit me ujë.
Situata ka ngritur shqetësime për shëndetin publik, ndërsa priten sqarime zyrtare nga institucionet përgjegjëse mbi shkakun e ndotjes, sigurinë e ujit për konsum dhe masat që do të ndërmerren për të shmangur rreziqe të mëtejshme për qytetarët.
“KORÇA BOOM”
















