Urdhri i fortë i Skënder Hitës: Kontrolle dhe agjentë pranë çdo shkolle
- 2 hours ago
- 1 min read
Një telegram i posaçëm është shpërndarë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në të gjitha drejtoritë vendore dhe komisariatet e vendit, ku kërkohen masa të menjëhershme për forcimin e sigurisë në shkolla dhe goditjen e shpërndarjes së drogës apo mbajtjes së armëve të ftohta në ambientet arsimore.
Shkak për këtë urdhër janë bërë disa ngjarje të rënda të regjistruara gjatë vitit shkollor 2024-2025, ku nxënës ose persona të tjerë kanë hyrë në shkolla me sende të ndaluara, duke krijuar incidente që kanë rrezikuar jetën e nxënësve dhe kanë cenuar mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Në kuadër të masave, kërkohet organizimi i shërbimeve të posaçme policore pranë çdo institucioni arsimor. Sipas urdhrit, agjentë të policisë kriminale do të vendosen pranë shkollave për të monitoruar situatën dhe për të identifikuar personat që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike.
Po ashtu, strukturat e narkotikëve, së bashku me forcat operacionale dhe agjentët e komisariateve, do të zhvillojnë kontrolle të befasishme për kapjen në flagrancë të personave që futen në ambientet shkollore me qëllim shpërndarjen e drogës.
Një tjetër masë e kërkuar lidhet me strukturat e Hetimit Ekonomik dhe Financiar, të cilat në bashkëpunim me komisariatet janë urdhëruar të ushtrojnë kontrolle për të mos lejuar shitjen e produkteve të ndaluara për të miturit nën 18 vjeç.
“KORÇA BOOM”
















