Ushqimi nën hetim! AKU merr mostra pas shtrimit të 60 kursantëve, reagimi i policisë
- 2 hours ago
- 1 min read
Rreth 60 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas shfaqjes së simptomave shqetësuese si temperaturë dhe diarre.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, 31 kursantë janë dërguar në Repartin Infektiv të Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe më pas janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm, edhe 29 kursantë të tjerë janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Akademisë me simptoma të ngjashme. Ata janë transportuar menjëherë drejt Repartit Infektiv për trajtim dhe ekzaminime të mëtejshme.
Pas situatës së krijuar, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili në bashkëpunim me Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Nga ana tjetër, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara nga kursantët, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate.
Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë kryer analizat përkatëse dhe priten rezultatet, të cilat do të ndihmojnë në sqarimin e plotë të ngjarjes.
Hetimet vijojnë, ndërsa dyshimet e para lidhen me një helmim të mundshëm ushqimor.
"KORÇA BOOM"
















