V*au gruan me th*kë dhe plagosi djalin e partneres në Selanik, dënohet me burg përjetë 47-vjeçari shqiptar
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Gjykata e Krimeve të Rënda në Selanik, ka dënuar me burgim të përjetshëm 47-vjeçarin shqiptar i cili një vit më parë masakroi për vdekje me thikë gruan e tij 60-vjeçare pas një konflikti me motive xhelozie. Ai e akuzonte viktimën për tradhti bashkëshortore dhe për lidhje incestuale me djalin e saj 30-vjeçar.
Gjithashtu, 47-vjeçari u dënua edhe me 12 vite shtesë për tentativën e vrasjes së djalit të 60-vjeçares, i cili tentoi të mbronte nënën e tij gjatë sulmit, por mbeti i plagosur rëndë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 dhjetor të vitit 2024 në Angelochori, teksa autori besohet se ka qenë nën ndikimin e fortë të alkoolit.
“I pandehuri u shpall fajtor për vrasje të kryer me dashje, në gjendje të qetë mendore, në seri, të përfunduar dhe të tentuar, si dhe për posedim të paligjshëm të një arme, përdorimin e armës, pa njohje të një rrethane lehtësuese. Në këto rrethana, atij iu lejua të mbahej në burgun e Korydallos ku po mbahet pas paraburgimit”, shkruan “Protothema”.
Sipas aktakuzës, përpara vendit të ngjarjes, përveç viktimave, ishte edhe vajza e të pandehurit, djali i dytë i gruas së tij, e cila po i bënte thirrje të ndalonte sulmin. Çifti kishte prej kohësh probleme, por ato kulmuan kur 30-vjeçari u kthye pas 7 vitesh jetese në ishullin e Kretës. Kjo gjë riktheu dyshimet tek autori.
Viktima është një greke, e cila e kishte martesën e saj të dytë. Çifti kishte një lidhje prej të paktën dy dekadash dhe sipas rrëfimit të djalit të mbijetuar, ata nuk kishin pasur përplasje më parë. Ai u shpreh se njerku e ndoqi edhe atë me thikë, por arriti të mbijetonte.
“Nëna ime e nxori nga shtëpia disa ditë më parë. Arsyeja ishin dyshimet e tij për ne të dy.
Atë ditë ai erdhi në shtëpi në mëngjes, bëri dhe piu kafe. Në një moment i tha asaj: ‘Po ke një lidhje me djalin tënd’ dhe e goditi me thikë shumë herë”, dëshmoi 30-vjeçari, i pyetur si dëshmitar nga gjykata, ndërsa shtoi se i pandehuri bërtiti: “Më thuaj nëse është e vërtetë apo jo”.
Në dëshminë e tij, 47-vjeçari me origjinë shqiptare, pohoi se ishte në një gjendje të trazuar mendore.
“Një ditë pashë një shenjë në buzët e saj dhe u bëra dyshues. Ajo më tha se nuk ishte asgjë. Më kërkoi të largohesha dhe unë mora gjërat e mia dhe u largova. Nuk kisha vendosur më parë, isha i hutuar. Atë ditë nuk shkova për ta vrarë por për të parë vajzën time, por u ngatërrova. Shkova mora thikën në kuzhinë dhe e qëllova”, tha ai.
Autori ka kërkuar falje ndaj djalit të viktimës, pasi e qëlloi me thikë dhe e la të plagosur./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”



















