Vd*kje me pikëpyetje në Bllokun e Sigurisë, çfarë nuk u bë për 41-vjeçarin
- Mar 30
- 2 min read
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pak ditë më parë në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, ku 41-vjeçari Bledi Panajoti humbi jetën në ambientet e paraburgimit, duke ngritur shqetësime serioze mbi trajtimin e tij shëndetësor gjatë qëndrimit në këto ambiente.
Sipas monitorimit të kryer nga KShH pas ngjarjes, rezulton se i ndaluari është dërguar disa herë në shërbimin e Urgjencës për shkak të problemeve shëndetësore që shfaqte.
Megjithatë, edhe pse mjekët kanë dhënë rekomandime të qarta për ndjekje nga specialistë si toksikologu, endokrinologu dhe psikiatri, këto këshilla nuk rezultojnë të jenë zbatuar pas rikthimit të tij në dhomat e sigurisë.
Nga të dhënat e mbledhura, mësohet se më 18 mars 2026, rreth orës 22:30, nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në Tiranë është shoqëruar në ambientet e Bllokut të Sigurisë shtetasi Bledi Panajoti, i arrestuar për veprën penale të vjedhjes, pas një denoncimi për tentativë grabitjeje të një çante.
Sipas punonjësve të policisë, ai ka shfaqur probleme shëndetësore që në momentin e mbërritjes, çka ka bërë që, me kërkesë të oficerit të informacionit, të dërgohej menjëherë në Urgjencë. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është rikthyer në ambientet e sigurisë rreth orës 00:55 të datës 19 mars.
Në procesverbalin e mbajtur në atë moment, vetë i ndaluari ka deklaruar se vuante nga disa sëmundje, përfshirë diabetin (për të cilin përdorte insulinë), hepatitin C, si dhe ka pohuar se ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe i prekur nga tuberkulozi.
Vetëm pak orë më vonë, rreth orës 02:10, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar sërish, duke bërë të nevojshëm transportimin urgjent për ndihmë mjekësore. Pas trajtimit në spital, ai është kthyer përsëri në Bllokun e Sigurisë në orën 08:58 të mëngjesit të së njëjtës ditë.
Sipas dokumentacionit mjekësor të lëshuar nga mjeku në QSUT, pacienti është ekzaminuar dhe është rekomanduar ndjekje e mëtejshme nga disa specialistë. Në dokument theksohet nevoja për konsultë me endokrinologun për menaxhimin e diabetit, si dhe ndjekje nga toksikologu dhe psikiatri. Megjithatë, sipas KShH, këto rekomandime nuk janë zbatuar.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se ky rast ngre pikëpyetje të forta mbi respektimin e të drejtave të personave të ndaluar, veçanërisht në lidhje me kujdesin shëndetësor që duhet t’u ofrohet atyre. Organizata kërkon një hetim të plotë dhe transparent për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për të përcaktuar përgjegjësitë institucionale.
Ngjarja ka shkaktuar reagime dhe shqetësim në opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e trajtimit dinjitoz dhe sigurimit të kujdesit të duhur mjekësor për çdo person të privuar nga liria.
“KORÇA BOOM”
















