top of page

Xhaferi kërkoi falje, por dënimi mund të jetë i ashpër, ja çfarë parashikon Kodi

Sep 2
2 min read

Ndeshja mes AF Elbasanit dhe Vllaznisë, e mbyllur në barazim 1-1, pritet të ketë pasoja të forta disiplinore për presidentin e klubit shkodran, Alban Xhaferi, dhe trajnerin Edi Martini.


Në qendër të vëmendjes është episodi i ndodhur pas përfundimit të takimit, kur Xhaferi dyshohet se ka goditur me grusht asistentin e dytë të arbitrit, Ergys Spahiu, teksa ky i fundit po drejtohej drejt tunelit të dhomave të zhveshjes.


Pamjet e incidentit kanë qarkulluar gjerësisht, ndërsa ndërhyrja e personave të sigurisë ka shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.


Pas incidentit, Xhaferi kërkoi falje publike për veprimin, duke e cilësuar atë të papranueshëm. Megjithatë, tashmë pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së për masën që do të merret ndaj tij.


Nëse episodi klasifikohet në bazë të Nenit 49 të Kodit të Disiplinës Sportive, që lidhet me sulmin ose ushtrimin e dhunës ndaj një zyrtari të ndeshjes, pasojat mund të jenë të rënda.


Për një trajner apo zyrtar klubi që sulmon ose ushtron dhunë ndaj një zyrtari të ndeshjes, parashikohet pezullim jo më pak se 18 muaj, krahas masave të tjera që mund të vendosen.


Në këtë kategori përfshihet edhe një president klubi, çka do të thotë se nëse Komisioni e klasifikon veprimin e Xhaferit sipas kësaj dispozite, ai mund të përballet me një pezullim minimal prej 18 muajsh.


Ndërkohë, edhe trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, pritet të përballet me masë disiplinore. Ai u ndëshkua me karton të kuq gjatë ndeshjes pas protestave ndaj vendimeve të arbitrave.


Në sfond ishin edhe dy golat e anuluar të Vllaznisë për pozicion jashtë loje. Martini u vu gjithashtu në qendër të vëmendjes për një gjest me duar që simbolizonte VAR-in, drejtuar në drejtim të bankinës së arbitrave.


Masa ndaj Martinit do të varet nga mënyra se si janë pasqyruar episodet në raportet zyrtare të arbitrit dhe delegatit të ndeshjes. Në rast se bëhet fjalë vetëm për protesta apo sjellje ofenduese ndaj zyrtarëve, rasti mund të trajtohet sipas dispozitave për sjelljen josportive dhe fair-play.


Tashmë pritet raporti zyrtar dhe vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së.


Në rastin e Xhaferit, klasifikimi i incidentit do të jetë vendimtar për përcaktimin e masës, ndërsa për Martinin pritet të përcaktohet nëse veprimet e tij do të konsiderohen thjesht protesta ndaj arbitrimit apo shkelje më e rëndë disiplinore.

“KORÇA BOOM”


bottom of page