Zbardhet skema e re e kompensimit, fermerët do marrin 10% rimbursim TVSH për inputet bujqësore
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 4 min read
Qeveria synon të rikthejë skemën e kompensimit të TVSH-së në bujqësi, por jo përmes fatura të blerësve, si ndodhte në skemën e mëparshme që u hoq plotësisht në 2022.
Me skemën e re propozohet që fermerët të kompensohen me 10% të TVSH-së së paguar për blerjen e inputeve bujqësore. Pra fermerët do të përfitojnë kompensim 10% të TVSH së paguar për inputet bujqësore (për farat, pesticidet dhe fidanët ). Prej vitit 2019 deri në dhjetor 2021 TVSH-ja për inputet bujqësore ka qenë zero. Nga 1 janari 2022 pas miratimit të ndryshimeve fiskale hyri në fuqi vendosja e TVSH-së 10% te çmimet e inputeve bujqësore.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar” përcakton se norma e kompensimit të prodhuesve bujqësorë prej 10% ka si qëllim t’i kompensojë ata për një pjesë të TVSH-së që paguajnë për inputet, në funksion të realizimit të prodhimeve të tyre bujqësore.
“Kompensimi i prodhuesve bujqësorë me normë fikse është një mekanizëm i TVSH-së, për ata fermerë që nuk i nënshtrohen TVSH-së dhe si të tillë, as nuk ngarkojnë TVSH për blerësit e produkteve të tyre bujqësore, por as kanë të drejtë të zbresin TVSH-në e paguar në blerje. Norma e kompensimit të prodhuesve bujqësorë prej 10 për qind ka si qëllim t’i kompensojë ata për një pjesë të TVSH-së që paguajnë për inputet, në funksion të realizimit të prodhimeve të tyre bujqësore.
Mënyra e propozuar me këtë projektligj është ajo nëpërmjet administratës tatimore, mënyrë kjo e aplikueshme edhe nga vende të tjera, si për shembull, Franca dhe Greqia. Duke qenë se, skema e kompensimit me rimbursim nëpërmjet administratës tatimore do të zbatohet për herë të parë, në funksion të mirëadministrimit, propozohet që skema të kufizohet duke përcaktuar që blerësi i produkteve bujqësore duhet të jetë një person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si, grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin.
Vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që kanë zgjedhur të aplikojnë këtë skemë janë Bosnje-Hercegovina, me një normë kompensimi prej 5%, si dhe Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, të cilat kanë një normë kompensimi prej 8%, e ndryshme nga shkalla standarde e TVSH-së që varion nga 17-21%.
Ndërsa, në vendet e Bashkimit Evropian që aplikojnë këtë skemë, norma e kompensimit varion nga rreth 2-12%, e ndryshme nga shkalla standarde e TVSH-së që varion nga rreth 19-25%”, sqarohet në relacionin e projektligjit.
Si do të funksionojë skema
Në relacion theksohet se tre janë elementet kryesore ku konsiston projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”:
Norma e kompensimit të prodhuesit bujqësorë nga 0 (zero) për qind të bëhet 10 (dhjetë) për qind.
Blerësi i produkteve bujqësore duhet të jetë një person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si, grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin.
Kompensimi do t’i paguhet shitësit-fermer nga administrata tatimore.
Propozimet sipas këtij projektligji marrin në konsideratë incentivat aktuale për sektorin bujqësor (trajtimi me shkallë të reduktuar të TVSH-së prej 10%, përjashtimet nga TVSH-ja brenda vendit dhe në import, si dhe subvencionimi për naftën), përfshirë këtu edhe faktin se kompensimi i fermerëve direkt nëpërmjet blerësit, skemë kjo e aplikuar më herët, nuk ka rezultuar të jetë funksionale.
Në projektligj theksohet se trajtimi nëpërmjet skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë synon të kontribuojë në forcimin e ekonomisë dhe formalizimin e sektorit bujqësor, duke nxitur pajtueshmërinë dhe zbatueshmërinë nga ana e palëve të përfshira në transaksion.
Pra për përfitimin e kompensimit blerësi detyrohet të lëshojë faturën tatimore të fiskalizuar, dokument ky i nevojshëm për qëllime të njohjes së shpenzimeve tatimore të zbritshme, ndërsa fermeri duhet ta kërkojë dhe disponojë këtë faturë në funksion të përfitimit të kompensimit sipas këtij projektligji.
Në nenin 3 është parashikuar një riformulim i nenit 150 “Mënyra e zbatimit të skemës”, si më poshtë:
1. Blerësi i produkteve bujqësore, person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si, grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin, lëshon një faturë tatimore për shitësin, prodhues bujqësor për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas këtij ligji.
Forma dhe përmbajtja e faturës janë përcaktuar në nenin 101, të këtij ligji, në përputhje me natyrën e furnizimit. Në faturë duhet të shënohet NIPT-i sipas nenit 147, shkronja “ç”, të këtij seksioni.
Kompensimi i akorduar i paguhet prodhuesit bujqësor nga administrata tatimore. Për të përfituar këtë kompensim, shitësi, prodhues bujqësor, duhet të dorëzojë në administratën tatimore, nëpërmjet shërbimit postar ose në rrugë elektronike, një kërkesë për kompensim, të shoqëruar me kopje të faturave të lëshuara nga blerësi i mallrave dhe shërbimeve bujqësore, si dhe numrin e llogarisë së tij bankare. Kërkesa për kompensim paraqitet sipas periudhave të mëposhtme:
brenda datës 31 Dhjetor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës Janar-Qershor të vitit përkatës.
brenda datës 30 Qershor të vitit pasardhës, për furnizimet e kryera gjatë periudhës Korrik-Dhjetor të vitit paraardhës.
Administrata tatimore kryen kompensimin brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.”.
Projektligji parashikon se skema e re e kompensimit pritet të nisë nga 1 janar 2026./ Monitor
“KORÇA BOOM”



















