top of page

Zemra që u shërua nga dashuria: Një histori që mjekësia nuk e shpjegon dot

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 5 hours ago
  • 2 min read

Në zyrën e tij, kardiologu i njohur rus Vladimir P. Almasov mbante në një kavanoz me alkool një zemër njerëzore. Kur vizitorët e tij pyesnin për arsyen, ai u tregonte një histori që lidhte fuqinë e dashurisë me kufijtë e mjekësisë.


Historia niste me një fotografi të vjetër, ku shfaqeshin dy të rinj të dashuruar në ditën e martesës së tyre. Ishte viti 1950 dhe Almasovi ishte ende student në Shën Petersburg, kur një vajzë e re, Marina, u shtrua në spital me një diagnozë të rëndë: endokardit bakterial subakut. Sëmundja ishte në një fazë të avancuar dhe mjekët nuk kishin shpresë për shërim.


Mes stafit të spitalit ishte edhe një mjek i ri, i quajtur Sergej. I heshtur, i përkushtuar dhe me shpirt njerëzor. Edhe pse nuk kishte mundësi ta shëronte Marinën, ai u dashurua me të. Vizitat e tij të përditshme, fjalët e ngrohta, lulet që i sillte, krijuan një lidhje që nuk shpjegohej me receta apo terapi.


Dhe ndodhi e pabesueshmja: zemra e Marinës nisi të forcohej, vlerat e saj shëndetësore u përmirësuan dhe kundër çdo parashikimi, ajo u shërua. Pak muaj më vonë, ata u martuan. Almasovi, atëherë student, ishte i ftuar në dasmën e tyre — një moment që e përjetësoi në fotografinë që më pas do t’u tregonte brezave të rinj të mjekëve.


Kaluan vite. Marina dhe Sergej ndërtuan një jetë të bukur së bashku. Deri kur, në pleqëri, Marina u përball sërish me fundin. Në çastet e fundit, ajo la një amanet: që zemra e saj t’i dhurohej fakultetit të mjekësisë në Shën Petersburg.

“Një zemër e sëmurë mund të shërohet nga një zemër që dashuron,” ishin fjalët e saj të fundit.


Kjo ishte ajo zemër që profesori Almasov ruante në zyrën e tij. Jo si objekt mjekësor, por si simbol i diçkaje më të madhe se shkenca dhe teknologjia – dashuria.


Vladimir P. Almasov (1902–1985) ishte një nga figurat më të rëndësishme në historinë e kardiologjisë sovjetike. Ai realizoi transplantin e parë të zemrës në BRSS në vitin 1957 dhe kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e kirurgjisë kardiake moderne.

Nga Dr. Alket Koroshi



“KORÇA BOOM”



bottom of page