top of page

Zjarri në afërsi të Parkut të Gërmenjit vijon aktiv – era dhe terreni i vështirë përkeqësojnë situatën

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 7 days ago
  • 1 min read

Vatra e zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjit në Korçë vijon të jetë ende aktive. Flakët janë përhapur edhe më shumë për shkak të erës së fortë, duke u drejtuar drejt territorit të Greqisë. Ekipet e emergjencës ndodhen në terren dhe vazhdojnë punën për mbajtjen nën kontroll dhe monitorimin e situatës, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.


Aktualisht, në terren janë të angazhuara rreth 40 forca zjarrfikëse dhe 9 mjete, të cilët punojnë intensivisht për të menaxhuar situatën e vështirë. Një sfidë tjetër e madhe është terreni i papërshtatshëm dhe i largët, pasi zona e prekur ndodhet rreth dy orë larg nga pika e nisjes së mjeteve zjarrfikëse.


Për të lehtësuar qasjen dhe ndërhyrjen, shërbimi i bashkisë Kolonjë ka angazhuar tre mjete për hapjen e rrugëve pyjore, që të mundësojnë afrimin më të lehtë të forcave zjarrfikëse pranë sipërfaqes së zjarrit.


Gjithashtu, në zonë ekziston rreziku i municioneve të pashpërthyera, ndaj veprimet në terren po kryhen me shumë kujdes dhe kontroll të shtuar, për të garantuar sigurinë e punonjësve dhe banorëve përreth.


Situata vijon të monitorohet me vëmendje, ndërsa ekipet janë të përkushtuara për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit dhe për të mbrojtur zonën natyrore të Gërmenjës.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page