Çmimi i naftës bie ndjeshëm në tregjet globale, sytë nga karburantet në Shqipëri
- 3 hours ago
- 1 min read
Çmimet globale të naftës pësuan një rënie të fortë të hënën, pas një pauze në luftimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke regjistruar uljen më të madhe ditore që nga 8 prilli.
Nafta Brent, e cila shërben si pikë referimi në tregjet ndërkombëtare, u mbyll me një çmim prej 85.87 dollarësh për fuçi, duke rënë me 11.3%. Edhe nafta bruto amerikane shënoi rënie të ndjeshme, duke zbritur me rreth 7% dhe u tregtua me 82.61 dollarë për fuçi.
Ndikim në këtë zhvillim pati deklarata e presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se Shtetet e Bashkuara pezulluan sulmet ndaj Iranit me kërkesë të Teheranit. Ai paralajmëroi gjithashtu se Uashingtoni është i gatshëm të rifillojë operacionet ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje e re armëpushimi.
Megjithatë, pavarësisht uljes së tensioneve, situata në rrugët kryesore të transportit detar mbetet e brishtë. Trafiku në Ngushticën e Hormuzit vazhdon të jetë shumë më i ulët se nivelet normale, me më pak se 10 anije mallrash që kaluan deri të hënën në mëngjes, krahasuar me rreth 100 anije që përshkonin ngushticën në një ditë të zakonshme para konfliktit.
Tregtarët e naftës vijojnë të tregohen të kujdesshëm edhe për shkak të kërcënimeve të rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani, për sulme ndaj tankerëve sauditë në ngushticën Bab al-Mandeb, një tjetër korridor strategjik për transportin e naftës.
Sipas analistëve të Deutsche Bank, sulmet e mundshme në këtë zonë rrisin rrezikun e ndërprerjes së njëkohshme të eksporteve të naftës si nga Gjiri Persik, ashtu edhe nga Deti i Kuq, duke shtuar pasigurinë në tregjet globale të energjisë.
“KORÇA BOOM”
















