top of page

Çfarë ndodhi në muze? Pas kritikave për manekinin, drejtuesi jep dorëheqjen

1 day ago
1 min read

Pas reagimeve dhe kritikave të shumta për mënyrën e ekspozimit të veshjeve të heroit Çerçiz Topulli në Muzeun e Gjirokastrës, kreu i Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Florian Hysi, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.


Në deklaratën e tij, Hysi e cilëson dorëheqjen si një akt përgjegjësie personale, duke marrë përsipër përgjegjësinë për situatën e krijuar pas ekspozimit të veshjeve.

Ai thekson se ajo që u konsiderua si gabim tashmë është korrigjuar, ndërsa manekini që u bë objekt kritikash është ndryshuar.


“Pas një periudhe pune të përkushtuar në shërbim të trashëgimisë kulturore, muzeve dhe Gjirokastrës, kam vendosur të jap dorëheqjen time prej pozicionit që mbaj”, shprehet Hysi.

Sipas tij, çdo detyrë publike duhet të shoqërohet me përgjegjësi personale për vendimet, veprimet apo gabimet që mund të ndodhin gjatë ushtrimit të saj.


“Ajo që u konsiderua gabim u korrigjua dhe marr të gjithë përgjegjësinë përsipër”, deklaron ai.

Ndërkohë, manekini i kritikuar është zëvendësuar. Veshjet e Çerçiz Topullit tashmë janë vendosur në një manekin pa fytyrë, pas reagimeve që shkaktoi mënyra e mëparshme e paraqitjes së tyre.


Në reagimin e tij, Florian Hysi falënderon Bashkinë e Gjirokastrës, kolegët dhe veçanërisht punonjësit e Agjencisë së Trashëgimisë Kulturore, duke vlerësuar punën e bërë gjatë periudhës që ai drejtoi institucionin.


“Dorëheqja ime nuk është dorëzim nga ajo që besoj. Është një akt përgjegjësie dhe respekti për institucionin”, shprehet Hysi.

Ai shton se do të vijojë të mbështesë Gjirokastrën, trashëgiminë kulturore dhe kujtesën kombëtare, duke theksuar se gabimi i konstatuar është korrigjuar dhe se puna e bërë do të flasë vetë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page