1000 lekë ora pas mësimit, ja kush mund të marrë pagesën nga programi i ri i qeverisë
top of page

1000 lekë ora pas mësimit, ja kush mund të marrë pagesën nga programi i ri i qeverisë

  • 8 hours ago
  • 2 min read

Qeveria ka miratuar organizimin e ri të programit “Pas Shkolle”, një nismë që do të shtrihet në 500 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme publike në të gjithë vendin. Programi do të zhvillohet jashtë orarit të detyruar mësimor dhe synon të ndihmojë nxënësit në përforcimin e njohurive, por edhe në zhvillimin e aftësive sportive, artistike, kulturore dhe krijuese.


Sipas vendimit të miratuar, trajnuesit që do të angazhohen në këtë program do të përfitojnë një pagesë prej 1 mijë lekësh për çdo orë aktiviteti. Kjo pagesë do të konsiderohet shpërblim për një shërbim të veçantë arsimor dhe nuk do të jetë pjesë e pagës mujore të mësuesve, duke mos ndikuar as në ngarkesën e tyre të detyrueshme mësimore.


Në program mund të aplikojnë kategori të ndryshme trajnuesish. Përparësi do të kenë mësuesit e punësuar në institucionet publike të arsimit parauniversitar, por mundësi aplikimi do të kenë edhe mësuesit që janë në listë pritjeje, ish-mësuesit në pension, të diplomuarit në fushat përkatëse, profesionistët e arteve, si dhe artizanët e regjistruar në institucionet përkatëse të trashëgimisë.


Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet përmes aplikimeve elektronike ose nëpërmjet zyrave vendore të arsimit parauniversitar, në varësi të kategorisë së aplikantit. Për mësuesit e përfshirë në portalin “Mësues për Shqipërinë”, aplikimi do të kryhet online.

Programi “Pas Shkolle” do të përfshijë veprimtari që lidhen me mbështetjen e të nxënit, përforcimin e njohurive dhe zhvillimin e kompetencave të nxënësve, por edhe aktivitete kreative si arti, kultura, sporti dhe zejet.


Sipas vendimit, përparësi në përzgjedhje do t’u jepet mësuesve që punojnë në shkollën ku do të zhvillohet programi. Në rastet kur nuk ka kandidatë të mjaftueshëm, do të hapet mundësia për aplikantë të tjerë që plotësojnë kriteret.

Financimi i programit do të bëhet nga buxheti i shtetit përmes fondeve të akorduara për strukturat vendore të arsimit. Institucionet arsimore do të jenë përgjegjëse për administrimin e dokumentacionit, ndjekjen e pjesëmarrjes së nxënësve dhe raportimin e rezultateve.

Me këtë vendim, qeveria shfuqizon rregullat e mëparshme të programit “Pas Shkolle” dhe vendos një skemë të re për organizimin, përzgjedhjen dhe shpërblimin e trajnuesve për vitin shkollor 2026-2027.

“KORÇA BOOM”


bottom of page