155 vjet nga lindja e Mihal Gramenos, figurë e shquar e Rilindjes Kombëtare
- Korca Boom
- 8 hours ago
- 1 min read
Përkujtohet 155-vjetori i lindjes së Mihal Gramenos, një nga figurat më të shquara të lëvizjes kombëtare shqiptare, luftëtar i vendosur i çështjes kombëtare, gazetar, botues dhe shkrimtar.
Mihal Grameno emigroi herët në Rumani, ku u angazhua aktivisht në veprimtarinë kombëtare dhe u zgjodh sekretar i Shoqatës “Drita”. Në vitin 1907 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit, duke marrë pjesë në aksione të rëndësishme kundër pushtuesve osmanë. Ai ishte gjithashtu kronist i këtyre ngjarjeve, duke raportuar ndër të tjera edhe për përleshjen e Mashkullorës.
Grameno ishte delegat i Klubit të Korçës në Kongresin e Manastirit dhe një nga themeluesit e “Lidhjes Orthodokse”. Ai dha një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën e shtypit, si redaktor dhe botues i disa gazetave kombëtare, mes të cilave edhe gazeta “Koha”.
Gjatë kryengritjeve të viteve 1911–1912, Mihal Grameno luajti një rol të rëndësishëm ndërlidhës mes çetave kryengritëse dhe drejtuesve të lëvizjes kombëtare. Veprimtaria e tij patriotike vijoi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku përfaqësoi interesat e shqiptarëve në Konferencën e Paqes në Paris.
Pas kthimit në Shqipëri, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, u tërhoq nga jeta publike. Ndërroi jetë në vitin 1931 në Korçë. Për kontributin e tij të shquar në çështjen kombëtare shqiptare, Mihal Grameno u nderua me titullin e lartë “Hero i Popullit”.
"KORCA BOOM"



















