top of page

4-5 muaj pa paga, futbollistët marrin vendimin e fortë dhe bojkotojnë stërvitjen

Oct 8
1 min read

Situata te Vllaznia vijon të mbetet e tensionuar, teksa futbollistët e ekipit të parë kanë bojkotuar për të dytën ditë radhazi stërvitjen, në shenjë proteste për pagat e prapambetura.


Sipas informacioneve të bëra publike, lojtarët pretendojnë se nuk janë paguar prej 4-5 muajsh. Bojkoti vjen vetëm pak ditë para përballjes me Dinamon, duke shtuar pikëpyetjet mbi gjendjen e skuadrës para ndeshjes së radhës.


Në seancën e dytë stërvitore të planifikuar për sot, në kompleksin sportiv janë paraqitur vetëm katër futbollistë të rinj të ekipit të parë, Bizi, Uldedaj, Tahiri dhe Ara. Pjesa tjetër e skuadrës nuk ka zbritur në fushë.


Në ambientet e kompleksit kanë qenë presidenti Alban Xhaferi dhe drejtori i ri sportiv, Alban Hasani, të cilët kanë zhvilluar një takim me futbollistët për të diskutuar situatën e krijuar.


Pas takimit, katër lojtarët së bashku me trajnerin kanë zhvilluar seancën stërvitore, ndërsa pjesa tjetër e ekipit ka vijuar bojkotin.


Problemet financiare vijnë në një moment të vështirë edhe në aspektin sportiv për Vllazninë.


Pas pesë javëve të para të kampionatit, skuadra ka grumbulluar vetëm dy pikë dhe renditet në fund të tabelës.


Detyrimet financiare, sipas informacioneve të bëra publike, nuk lidhen vetëm me futbollistët e ekipit të parë. Të papaguara prej sezonit të kaluar rezultojnë edhe paga të trajnerëve të Akademisë së Vllaznisë.


Vllaznia duhet të përgatitet tashmë për ndeshjen ndaj Dinamos, e planifikuar më 11 tetor në stadiumin “Loro Boriçi”. Mbetet për t’u parë nëse situata financiare do të zgjidhet përpara kësaj përballjeje dhe nëse futbollistët do t’i rikthehen stërvitjes së plotë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page