top of page

5 Shtatori, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës

  • 51 minutes ago
  • 2 min read

Sot shënohet Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës, misionares shqiptare trupvogël me zemër të madhe, e cila u kthye në një simbol botëror të bamirësisë, vetëmohimit dhe shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.


Nënë Tereza, fituese e Çmimit Nobel për Paqen, u shpall shenjtore nga Papa Françesku më 4 shtator 2016, në një ceremoni madhështore në Vatikan. Kanonizimi erdhi pas njohjes nga Kisha Katolike të mrekullive që iu atribuuan ndërmjetësimit të saj pas vdekjes.


Papa Françesku vendosi gjithashtu emrin e Shën Terezës së Kalkutës në Kalendarin e Përgjithshëm Romak, ndërsa 5 shtatori, data kur ajo ndërroi jetë në vitin 1997, është dita e përkujtimit të saj liturgjik.


Vendimi pasoi kërkesat e shumta të ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve dhe besimtarëve në vende të ndryshme të botës, ku figura dhe vepra e saj vazhdojnë të nderohen.

Nga lumturimi te shpallja shenjtore


Nënë Tereza u lumturua në tetor 2003 nga Papa Gjon Pali II, pasi Kisha njohu mrekullinë e parë që iu atribuua ndërmjetësimit të saj.


Rasti lidhej me një grua indiane që vuante nga një problem i rëndë shëndetësor dhe që deklaroi se ishte shëruar pasi iu lut Nënë Terezës. Pas shqyrtimit të rastit, Vatikani e njohu shërimin si mrekulli.


Njohja e një mrekullie të dytë i hapi më pas rrugën kanonizimit të saj nga Papa Françesku.


5 shtatori, festë zyrtare në Shqipëri dhe Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë


Data 5 shtator ka një domethënie të veçantë edhe për Shqipërinë. Në ligjin “Për festat zyrtare”, 19 shtatori, i përcaktuar më parë si Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, u zëvendësua me 5 shtatorin.


E njëjta datë shënohet nga Kombet e Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, e vendosur në nderim të figurës dhe veprës së Nënë Terezës.

Nga Shkupi në Kalkutë, një jetë kushtuar të varfërve


Anjezë Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në një familje shqiptare. E re në moshë, ajo zgjodhi jetën fetare dhe rrugëtimi i saj e çoi në Indi, ku nisi misionin në Kalkutë.


Në vitin 1950, Nënë Tereza themeloi Misionaret e Dashurisë, kongregatë që e përqendroi veprimtarinë te të varfrit, të sëmurët, jetimët dhe njerëzit e braktisur.


Puna e saj humanitare mori përmasa ndërkombëtare dhe në vitin 1979 ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen. Nënë Tereza kërkoi që fondet e lidhura me çmimin të përdoreshin në ndihmë të të varfërve.


Ajo vizitoi edhe Shqipërinë dhe kontribuoi në hapjen e shtëpive të Misionareve të Dashurisë në vend.


Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi që vijon të lidhet me kujdesin ndaj të varfërve dhe njerëzve më të pambrojtur.

“KORÇA BOOM”


bottom of page