top of page

79 ton ushqime bllokohen në kufi, AKU nuk lejon hyrjen e mishit të pulës dhe miellit në Shqipëri

2 minutes ago
1 min read

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka refuzuar në kufi tre ngarkesa me produkte ushqimore gjatë muajit nëntor 2026, për shkak të mospërputhjeve në dokumentacion dhe mungesave në etiketim.


Sipas njoftimit të AKU-së, gjatë këtij muaji në Pikat e Inspektimit Kufitar janë importuar gjithsej 5 277 ngarkesa, nga të cilat 1 276 me origjinë shtazore, 2 834 me origjinë joshtazore dhe 1 167 me produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inpute bujqësore.


Gjatë kontrolleve janë marrë 167 mostra, nga analizimi i të cilave, deri më tani, nuk janë evidentuar raste jokonforme.


Dy nga ngarkesat e refuzuara janë konstatuar në PIK Durrës. Bëhet fjalë për 54 tonë mish pule, të importuar nga subjekti “ZICO” sh.a. nga Brazili. Sipas AKU-së, vendimi për kthimin e tyre në vendin e origjinës u mor pasi të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përputheshin me ato të regjistruara në sistem.


Ndërsa në PIK Morinë është refuzuar një ngarkesë e importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi”, me destinacion Kosovën. Ajo përfshinte 7 tonë miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 tonë produkt “Hime gruri”.


Nga verifikimet u konstatuan mangësi në dokumentacionin shoqërues, mungesë e datave të prodhimit dhe skadencës në një pjesë të ambalazheve, mospërputhje të nivelit të proteinave mes etiketave dhe dokumenteve, si dhe mungesë të numrit LOT dhe analizës për aflatoksinën.


AKU bën me dije se të gjitha ngarkesat e refuzuara do të kthehen në vendet e origjinës, duke theksuar angazhimin për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

“KORÇA BOOM”


bottom of page