top of page

A*më dhe municion në banesë, arrestohet 44-vjeçari në Pogradec

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Policia kontrolloi dy banesat e 44-vjeçarit në qytetin e Pogradecit dhe në fshatin Vërdovë. Operacioni i koduar “Befasia” u zhvillua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative


Një 44-vjeçar është arrestuar në Pogradec, pasi Policia i gjeti një armë zjarri automatike dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se i mbante pa leje.


Operacioni i koduar “Befasia” u zhvillua nga specialistët e Komisariatit të Policisë Pogradec, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për një rast të dyshuar të armëmbajtjes pa leje.


Në kuadër të kontrolleve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, efektivët ushtruan kontrolle në dy banesa në pronësi të shtetasit me iniciale B. B., njëra në lagjen nr. 3 të Pogradecit dhe tjetra në fshatin Vërdovë.


Gjatë kontrolleve, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatike, së bashku me municionin luftarak përkatës. Sipas Policisë, arma dhe municioni mbaheshin pa leje.


Pas sekuestrimit të armës, 44-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.


Arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.

“KORÇA BOOM”


bottom of page