top of page

A pati shkelje nga policia gjatë protestave? AMP nis verifikimin e pamjeve

10 hours ago
1 min read

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimin e rasteve të dyshuara për shkelje ligjore nga punonjësit e Policisë së Shtetit gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit.


Në një njoftim zyrtar, AMP bën me dije se punonjësit e saj kanë qenë të pranishëm në terren gjatë protestave, me qëllim evidentimin e rasteve konkrete që mund të përbëjnë shkelje gjatë ushtrimit të detyrës nga efektivët e policisë.


Pjesë e procesit të verifikimit janë bërë edhe pamjet filmike të transmetuara nga mediat audiovizive, si dhe videot e publikuara në rrjetet sociale. Sipas AMP-së, të gjitha materialet e administruara do t’i nënshtrohen analizës për të sqaruar rrethanat e çdo rasti dhe për të përcaktuar përgjegjësitë përkatëse.


Agjencia bën të ditur se veprimet po vijojnë në përputhje me kompetencat ligjore, në bashkëpunim me strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, duke ruajtur pavarësinë e procesit të verifikimit dhe hetimit.


Për rastet ku janë evidentuar të dhëna që mund të përbëjnë elemente të veprave penale, veprimet procedurale po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.


Verifikimet synojnë të hedhin dritë mbi mënyrën se si është vepruar nga punonjësit e policisë gjatë protestave dhe nëse ka pasur shkelje të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page