A plaken paratë? Udhëtimi sekret i kartëmonedhave
- Korca Boom
- 6 hours ago
- 1 min read
Çfarë ndodh me kartëmonedhat që përdorim çdo ditë kur ato vjetërohen ose dëmtohen? Kjo është një pyetje që lind natyrshëm sa herë që kryejmë një pagesë për të përfituar një mall apo shërbim.
Të gjitha bankat tregtare depozitojnë pranë Bankës së Shqipërisë paranë cash të mbledhur nga klientët e tyre. Në Qendrën e Emisionit, kartëmonedhat kalojnë nëpër një cikël të plotë kontrolli, i cili përfshin disa etapa: rinumërim, verifikim, seleksionim dhe klasifikim.
Gjatë këtij procesi, kartëmonedhat kontrollohen me pajisje të posaçme. Ato që janë në gjendje të mirë rikthehen sërish në qarkullim, ndërsa kartëmonedhat e dëmtuara identifikohen dhe shkatërrohen, për t’u zëvendësuar me kartëmonedha të reja. Ky proces siguron që paraja fizike të jetë e besueshme, dinjitoze dhe e lehtë për t’u përdorur në jetën e përditshme.
Brenda një viti, Banka e Shqipërisë mund të përpunojë rreth 100 milionë kartëmonedha. Mesatarisht, një kartëmonedhë rikthehet më pak se një herë në vit në sportelet e Bankës së Shqipërisë. Prerjet që qarkullojnë më shpesh janë ato prej 500 dhe 1000 lekësh, me një frekuencë rreth 0.6 herë në vit, ndërsa prerjet më të mëdha, si 5000 dhe 10 000 lekë, rikthehen shumë më rrallë.
Riciklimi i vazhdueshëm i kartëmonedhave mban të lartë cilësinë e parasë në qarkullim dhe kontribuon në rritjen e besimit të publikut ndaj sistemit monetar.
"KORCA BOOM"



















