A*rma e gjetur ditë më vonë nxit dyshime të forta për manipulim provash
- Korca Boom
- 5 hours ago
- 2 min read
Dy vite pas gjetjes së trupit të 34-vjeçarit shqiptar Klaudio Myrtaj në një garazh në Vernante, misteri për rrethanat e vdekjes së tij vazhdon të trazojë Italinë dhe familjen e tij. Edhe pse prokuroria e Cuneos e cilësoi ngjarjen si vetëvrasje, të afërmit dhe ish-partnerja e tij janë të bindur se Klaudio është vrarë dhe kërkojnë rihapjen e hetimeve.
Myrtaj u gjet më 4 nëntor 2023 me plagë plumbi në bark dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në spitalin e Cuneos. Fillimisht hetimet nuk përjashtonin pistën e vrasjes, por disa javë më vonë prokuroria kërkoi mbylljen e çështjes, duke përfunduar se ai i kishte shkaktuar vetes plagën që i mori jetën.
Familja e ka kundërshtuar ashpër këtë version, duke theksuar mospërputhje të shumta në hetim. Një nga elementët më të dyshimtë, sipas tyre, është fakti që arma e krimit, një pistoletë kalibri .22 nuk u gjet menjëherë në vendin e ngjarjes, por vetëm disa ditë më vonë, në një sirtar të punishtes ku Klaudio punonte herë pas here. Avokati Alessandro Parola, që përfaqëson ish-partneren e viktimës, e ka quajtur këtë fakt “të jashtëzakonshëm” dhe ka kërkuar verifikim të plotë për personin që mund ta ketë zhvendosur armën.
Avokatët e familjes ngrenë pyetje të forta: kush e lëvizi armën, përse dhe me çfarë qëllimi? Ata dyshojnë se zhvendosja e saj ka qenë një tentativë për të manipuluar provat dhe për ta paraqitur ngjarjen si vetëvrasje, për të mbuluar një vrasje të mirëorganizuar.
Aktualisht, asnjë person nuk është zyrtarisht nën hetim për vdekjen e Klaudios, por familja dhe përfaqësuesit ligjorë kanë kërkuar që gjyqtari i hetimeve paraprake të mos mbyllë dosjen pa rihapur hetimin. Ata kërkojnë ekspertiza të reja, rindërtime të detajuara të ngjarjes dhe verifikime të thelluara mbi provat materiale.
Për familjen Myrtaj, Klaudio ishte një djalë i qeshur, punëtor dhe i lidhur me jetën cilësi që, sipas tyre, përjashtojnë mundësinë e vetëvrasjes. “Ne nuk do të ndalemi derisa e vërteta të dalë në dritë”, kanë deklaruar ata për mediat italiane.
Në ditët në vijim, pritet që gjyqtari i hetimeve paraprake të vendosë nëse çështja do të rihapet apo do të konfirmohet përfundimisht si vetëvrasje një vendim që pritet me ankth nga familja Myrtaj, e cila kërkon drejtësi pas dy vitesh dhimbje dhe dyshimi.
"KORCA BOOM"



















