Ahmataj zbulon problemet e Skënderbeut: “80% e skuadrës është zëvendësuar, duhet kohë”
- 19 hours ago
- 2 min read
Skënderbeu pësoi humbjen e dytë radhazi në kampionat, këtë herë përballë Egnatias, ndërsa pas ndeshjes trajneri Julian Ahmataj u ndal te paraqitja e skuadrës dhe vështirësitë që po shoqërojnë fillimin e sezonit.
Ahmataj theksoi se skuadra e tij ka pasur një kalendar të vështirë në javët e para, duke u përballur me kundërshtarë si Dinamo dhe Egnatia. Sipas tij, pavarësisht rezultateve, Skënderbeu nuk ka qenë inferior ndaj këtyre skuadrave dhe ka pasur mundësi të marrë më shumë nga ndeshjet.
“Duke parë edhe shortin që na përplasi që në fillim me skuadra ndoshta më në formë të momentit, si Egnatia dhe Dinamo, e dinim vështirësinë e ndeshjeve. Nuk kemi parë një diferencë që të kenë këto skuadra kundrejt nesh. Kemi bërë ndeshje të mira, por fati nuk ka qenë me ne”, u shpreh Ahmataj.
Trajneri korçar veçoi edhe mungesën e konkretizimit, duke theksuar se ekipi ka krijuar raste të pastra, por nuk ka arritur t'i shfrytëzojë ato.
“Në të dyja ndeshjet i kemi pasur mundësitë për të kaluar në avantazh para kundërshtarëve. Jo vetëm në fillim, por edhe në fundin e ndeshjes patëm raste shumë të pastra që nuk u shfrytëzuan. Kjo është keqardhje, sepse një skuadër e re do një bonus që të performojë mirë”, tha ai.
Një tjetër problem i evidentuar nga Ahmataj ishte mungesa e përqendrimit në momentet vendimtare. Goli i pësuar ndaj Egnatias, sipas trajnerit, erdhi si pasojë e një neglizhence që duhet korrigjuar.
“Goli erdhi për një episod ku ishim të gjithë të vendosur. Ishte neglizhencë dhe mungesë përqendrimi. Ndodhi si me Dinamon. Është një problem shumë i zgjidhshëm. Lojtarët janë të rinj, kanë ardhur rishtas, nuk njohin kampionatin dhe ka shumë gjëra që kërkojnë pak kohë”, deklaroi Ahmataj.
Sa i përket skemës taktike, trajneri bëri të qartë se sistemi bazë i Skënderbeut do të jetë 4-2-3-1, ndërsa përdorimi i skemës me pesë mbrojtës ka ardhur kryesisht për t'iu përshtatur karakteristikave të kundërshtarëve.
“Jemi automatizuar me 4-2-3-1, që do të jetë sistemi bazë në gjithë kampionatin. Karakteristikat e lojtarëve i përshtaten këtij sistemi. Ndryshimet kanë ardhur për shkak të kundërshtarëve, që luajnë me romb si Dinamo dhe Egnatia”, shpjegoi ai.
Ahmataj pranoi se skuadra ka nevojë për kohë për të krijuar automatizmat dhe për të ndërtuar një lidhje më të mirë mes lojtarëve, pasi pjesa më e madhe e grupit është e re.
“Lojtarët janë rishtas të ardhur, nuk kanë automatizmat dhe nuk njohin lojën e njëri-tjetrit. Për këtë efekt jemi munduar që të sigurojmë linjën e mbrojtjes. Lojtarët kanë cilësi, por duhet të lidhen me njëri-tjetrin. Duhet koha që të njihen me njëri-tjetrin”, u shpreh trajneri.
Në fund, Ahmataj theksoi se Skënderbeu nuk duhet të krijojë një pengesë psikologjike nga rezultatet e para dhe beson se skuadra do të përmirësohet gradualisht.
“Nuk besoj se do të ketë pengesë psikologjike. Të gjitha skuadrat kalojnë momente të tilla. Ne e dinim që fillimin do ta kishim të vështirë, duke qenë skuadër e sapoardhur në Superiore. Është zëvendësuar pothuajse 80% e skuadrës dhe kjo patjetër që do kohën e saj”, përfundoi Julian Ahmataj.
“KORÇA BOOM”
















