top of page

Aksident tragjik/ Kamioni përplaset me makinën, humb jetën shoferi, motra dhe djali i tij dërgohen te Trauma

  • 3 hours ago
  • 2 min read

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Lezhë–Milot.


Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30, kur një automjet është përplasur me një kamion në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht. Përplasja ka qenë fatale për drejtuesin e automjetit, një shtetas nga Kosova, i cili humbi jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra.


Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar edhe dy familjarë të viktimës, konkretisht motra dhe djali i tij, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Sipas burimeve mjekësore, të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.


Ndërkohë, drejtuesi i kamionit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Në vendin e aksidentit ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë aksident tragjik.


Policia ka dhënë edhe njoftimin zyrtar lidhur me ngjarjen:


“Rreth orës 04:30, në aksin rrugor Lezhë–Milot, një automjet tip kamion, me drejtues shtetasin A. M., është përplasur me një automjet me drejtues shtetasin kosovar K. B.


Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K. B., ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa motra e tij, shtetasja F. B., dhe djali i tij, shtetasi F. B., janë transportuar në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.


Drejtuesi i kamionit, shtetasi A. M., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale.


Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njofton policia.

"KORÇA BOOM"


bottom of page