Akuza dhe paralajmërime nga Rama, çfarë po ndodh brenda socialistëve?
- 3 hours ago
- 2 min read
Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka mbajtur një fjalim me tone të ashpra, duke lëshuar akuza ndaj protestës që prej 21 ditësh po zhvillohet në Tiranë dhe disa qytete të vendit, ndërsa është përhapur edhe në shtete të ndryshme ku jetojnë shqiptarë.
Rama u shpreh i vendosur se ai dhe Partia Socialiste nuk do të tërhiqen nga rruga që kanë nisur, duke theksuar se nuk ka më synim të jetë një lider i pëlqyer, por një drejtues që merr vendime të vështira.
“Do kritikohemi, do sulmohemi, por kemi detyrim të mos zgjedhim rrugën më të lehtë. Nuk duhet të zgjedhim të jemi popullorë kur duhet të jemi të përgjegjshëm. Ka kohë që nuk ndihem i zgjedhur për të qenë i pëlqyer. Më ka ikur ajo dëshirë,” deklaroi Rama.
Duke folur për largimet nga radhët socialiste, pas rastit të Marjana Koçeku, kryeministri paralajmëroi se mund të ketë edhe emra të tjerë që do të largohen.
Ai u bëri thirrje deputetëve të mos habiten nëse gjatë rrugës do të ketë persona që, sipas tij, do të dalin “anash, mbrapa apo përballë”.
“Nuk jemi këtu për të qenë të pëlqyer, por për të qenë të dobishëm. Shqipëria sot është në duart tona. Nuk është një hashtag dhe as një fasadë për t’u dukur bukur. Është në një luftë me vetveten dhe Bashkimi Evropian është Itaka jonë,” tha ai.
Më tej, Rama hodhi akuza edhe për sulme të organizuara në rrjetet sociale, duke pretenduar se pas tyre fshihen “mercenarë digjitalë” që veprojnë edhe nga vende të tjera.
“Kemi fakte sa të duash. Falë algoritmit vijnë mercenarë digjitalë edhe nga vende që nuk e mendon se ishe shënjestër e tyre. Por kjo është rruga më e vështirë dhe kjo është rruga ime, rruga jonë e PS,” përfundoi kryeministri.
“KORÇA BOOM”
















