Mesazh i fortë nga pedagogët: Mbështetje për protestat dhe kërkesat e qytetarëve
- 2 hours ago
- 2 min read
Sindikata e Personelit Universitar të Shqipërisë (SPUSH) ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në vend, duke përshëndetur karakterin paqësor dhe jopartiak të tyre.
Në deklaratën zyrtare, SPUSH vlerëson se këto protesta janë organizuar për mbrojtjen e zonave të mbrojtura natyrore, pasurive publike dhe për garantimin e konsultimit të qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
Sindikata vlerëson veçanërisht rolin e të rinjve në organizimin e lëvizjes, duke theksuar se një pjesë e madhe e protestuesve janë studentë dhe ish-studentë të universiteteve shqiptare.
Sipas SPUSH, kërkesat e ngritura nga protestuesit lidhen me parime themelore si transparenca, përgjegjësia publike dhe konsultimi me grupet e interesit, standarde që përputhen me vlerat e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë.
Në reagim nënvizohet gjithashtu se universitetet dhe komuniteti akademik duhet të kenë një rol aktiv në debatet publike që lidhen me mjedisin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e pasurive publike.
SPUSH argumenton se ekspertiza akademike në fusha si ekologjia, urbanistika, ekonomia dhe e drejta duhet të përfshihet në mënyrë formale në proceset vendimmarrëse, veçanërisht për projektet me ndikim të gjerë social dhe mjedisor.
Sindikata shpreh shqetësimin se anashkalimi i ekspertizës akademike dhe mungesa e konsultimit me palët e interesit mund të ndikojnë negativisht në cilësinë dhe legjitimitetin e politikave publike.
Në fund të deklaratës, SPUSH riafirmon të drejtën e pedagogëve dhe personelit akademik për të shprehur lirisht mendimet e tyre në debatin publik, duke deklaruar mbështetjen për çdo iniciativë që kontribuon në forcimin e demokracisë, luftën kundër korrupsionit, përmirësimin e arsimit dhe avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Sindikata i bën thirrje qeverisë dhe forcave politike që të dëgjojnë kërkesat e protestuesve dhe të angazhohen për gjetjen e zgjidhjeve në interes të qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të vendit.
“KORÇA BOOM”
















