top of page

Alarm në një shkollë, 6-vjeçarit i gjendet th*ka 13 centimetra në çantë

3 hours ago
1 min read

Një incident i pazakontë ka alarmuar një shkollë fillore në Trepuzzi, në provincën e Leçes, Itali, pasi një nxënës vetëm 6 vjeç është konstatuar me një thikë kuzhine 13 centimetra në çantën e tij.


Ngjarja u zbulua gjatë procesit mësimor, kur një prej nxënësve i tregoi mësueses se kishte parë thikën. Pas kontrollit të çantës, mjeti prerës u gjet dhe drejtuesit e institucionit njoftuan menjëherë familjen e fëmijës dhe autoritetet.


Në shkollë mbërritën karabinierët, ndërsa në rast janë përfshirë edhe shërbimet sociale. Nga verifikimet e para dyshohet se fëmija mund të jetë bindur nga një bashkëmoshatar për ta marrë thikën me vete, në një situatë që lidhet me një konflikt të mëparshëm mes tyre.


Hetimet vijojnë për të sqaruar se si përfundoi thika në çantën e 6-vjeçarit dhe çfarë ka ndodhur mes fëmijëve. Rasti po ndiqet nën koordinimin e Prokurorisë për të Miturit në Leçe.


Kryetari i bashkisë së Trepuzzit, Giuseppe Maria Taurino, u bëri thirrje prindërve dhe komunitetit që të ruajnë qetësinë dhe të mos përhapin informacione të pakonfirmuara.


“Është një fakt kritik që nuk mund dhe nuk duhet të na lërë indiferentë”, deklaroi ai, duke theksuar se përfshirja e të miturve kërkon kujdes dhe përgjegjshmëri të veçantë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page