Alarmin e dha, por nuk u dëgjua /KSHH ngre shqetësime për vdekjen e Koçiut
- Korca Boom
- Aug 7, 2025
- 2 min read
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka reaguar publikisht mbi vdekjen e të paraburgosurit Besnik Koçiu, i cili ndërroi jetë më 24 korrik në ambientet e burgut “Jordan Misja” në Tiranë. Rasti ka ngjallur reagime për shkak të mënyrës se si është trajtuar gjendja e tij shëndetësore nga autoritetet përgjegjëse.
Sipas vëzhgimeve të KSHH-së, Koçiu kishte qëndruar rreth 8 ditë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), kohë gjatë së cilës ai kishte raportuar vazhdimisht probleme shëndetësore. Ndërhyrjet nga personeli mjekësor kanë qenë të kufizuara dhe nuk është realizuar asnjëherë dërgimi i tij në një strukturë spitalore, pavarësisht ankesave të përsëritura.
Mbrëmjen e 23 korrikut, në regjistrat zyrtarë është shënuar se rreth orës 20:45 Koçiu ishte “pa qejf”, dhe ndihmës-mjekja e burgut kishte kryer matje tensioni në orën 21:00 dhe sërish në 22:05. Pas këtij momenti, nuk ka asnjë dokumentim tjetër për ndonjë kontroll mjekësor apo ndërhyrje nga ana e stafit policor apo shëndetësor deri në mëngjesin e ditës së nesërme.
Në orën 07:00 të datës 24 korrik, punonjësit e turnit konstatuan se Koçiu nuk reagonte dhe menjëherë u bë transportimi i tij në urgjencën e QSUT-së. Mjekët konstatuan se ai kishte ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak.
KSHH ka ngritur dyshime serioze mbi mungesën e reagimit të duhur institucional, duke theksuar se gjendja e të ndjerit kërkonte një vlerësim më të specializuar që në momentet e para të paraburgimit. Sipas dëshmive të bashkëqelive dhe vlerësimeve të mëvonshme, Koçiu kishte diagnoza komplekse dhe simptoma të përsëritura, të cilat nuk mund të neglizhoheshin.
Komiteti thekson se ky rast nxjerr në pah mangësitë serioze në sistemin e kujdesit shëndetësor brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit, duke kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe një rishikim të mënyrës sesi trajtohen të paraburgosurit në situata të ngjashme.
“KORÇA BOOM”



















