top of page

Anglia mposht Shqipërinë 2-0 në “Air Albania”, Kane vulos sfidën me dopietë. Kuqezinjtë luftojnë, por dorëzohen në pjesën e dytë

  • Nov 16, 2025
  • 2 min read

Anglia mposht Shqipërinë 2-0 në “Air Albania”, ndërsa Harry Kane vulosi sfidën me dy gola në pjesën e dytë. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje të fortë dhe luftarake, por dy gabime të mbrojtjes u kushtuan shtrenjtë ndaj një skuadre të nivelit më të lartë.


Pjesa e dytë nisi me intensitet të lartë nga të dy ekipet. Shqipëria provoi disa herë të rrezikonte me kundërsulme, ndërsa Anglia ruajti qetësinë dhe kontrollin e lojës. Zhbllokimi erdhi në minutën e 74-të, kur pas një goditje këndi, topi u devijua nga Aliji brenda zonës, duke i dhënë mundësinë Kane të shënonte golin e parë.


Në minutën e 82-të, Anglia dyfishoi rezultatin. Rashford harkoi nga krahu i majtë dhe Kane kërceu saktë në shtyllën e dytë, duke dërguar topin në rrjetë me kokë e duke mposhtur për herë të dytë portierin Strakosha. Kuqezinjtë kërkuan golin e nderit, por pa arritur të krijojnë mundësi të pastra deri në fund.


Në minutat shtesë, Anglia provoi sërish me Rashford dhe Kane, por gjuajtjet e tyre nuk gjetën kuadratin. Ndeshja u mbyll në minutën e 90+7 me rezultatin 2-0. Pak sekonda më parë, Broja u dëmtua gjatë një driblime dhe u detyrua të braktiste fushën.


Më herët, pati disa lëvizje në pankina: Bellingham u zëvendësua nga Rodgers, Pajaziti hyri për Laçin, ndërsa më parë Rashford dhe Anderson ishin aktivizuar për Bouen dhe Wharton. Te Shqipëria, Broja hyri në fushë në vend të Bajramit.


Minutat e pjesës së dytë patën edhe episode të tjera interesante: Hoxha dribloi dy lojtarë dhe krijoi një rast për Bajramin, Saka dhe Eze provuan me gjuajtje që u ndalën nga Strakosha, ndërsa Gjimshiti humbi një mundësi të artë me kokë pas një goditje dënimi.


Pjesa e parë u mbyll pa gola, por me një paraqitje të fortë të Shqipërisë. Kuqezinjtë arritën të mbajnë ritmin e lartë të anglezëve, duke fituar disa dyluftime të rëndësishme në mesfushë. Aksionet më të rrezikshme të kuqezinjve erdhën nga Hoxha dhe Uzuni, ndërsa Strakosha bëri pritje vendimtare në tentativat e Rice dhe Bouen.


Në minutën e 25-të, Shqipëria humbi Hysajn për shkak të një problemi fizik, duke detyruar trajnerin Silvinjo të aktivizojë Balliun. Ramadani u ndëshkua me karton të verdhë pas një faulli ndaj Kane, ndërsa Uorton dhe Bellingham u shënuan me të verdhë nga pala angleze.


Ndeshja nisi fort që në minutën e parë, me Anglinë që fitoi një goditje këndi dhe krijoi menjëherë rrezik, por mbrojtja shqiptare reagoi mirë.


Shqipëria e mbyll kështu me një humbje, por me momente të mira loje ndaj një prej skuadrave më të forta të botës. Anglia konfirmoi kualitetin dhe efikasitetin, ndërsa kuqezinjtë treguan se mund të konkurronin me dinjitet në pjesë të mëdha të lojës.

"KORCA BOOM"


bottom of page