Arrestimi i një të moshuari përfundon me humbjen e jetës
- 2 hours ago
- 1 min read
Një 91-vjeçar i arrestuar më 14 mars në Durrës pas një denoncimi për dhunë në familje ka ndërruar jetë këtë të premte në ambientet e QSUT-së. Medat Spahiu, banues në Xhafzotaj, Durrës, humbi jetën rreth orës 14:10 në Reanimacionin Qendror, si pasojë e një embolie pulmonare dexter.
91-vjeçari ishte arrestuar më 14 mars 2026 për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare, e mbetur në tentativë”, pasi dyshohet se kishte goditur me sende të forta në kokë dhëndrin e tij 69-vjeçar. Në cilësinë e provës materiale, policia kishte sekuestruar një shat (lopatë).
Pas arrestimit, ai ka kaluar në disa institucione shëndetësore për trajtim të specializuar: fillimisht në Spitalin Rajonal Durrës, më pas në Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë në pavijonin e pneumologjisë dhe më pas është shtruar në QSUT. Më 2 prill, rreth orës 22:34, u shtrua me urgjencë në Reanimacionin Qendror, ku u diagnostikua me emboli pulmonare dexter, hipertension arterial, diabet mellitus, gjendje pas A.V.C. dhe frakturë subtrokanterike sinister.
Drejtoria e Burgjeve njofton se po zbatohen procedurat për rastin dhe janë njoftuar organet përkatëse dhe familjarët.
“KORÇA BOOM”
















