top of page

Arrestohet në orët e para të mëngjesit, SPAK e akuzon për trafik droge dhe grup kriminal

Sep 26
2 min read

Një 41-vjeçar është arrestuar në orët e para të mëngjesit në Shkodër, në kuadër të një operacioni të koduar “Muri i Lartë”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit dhe BKH, nën drejtimin e SPAK.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Gjykata e Posaçme kishte caktuar më 25 shtator 2026 masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj tij.


SPAK e akuzon të arrestuarin për “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Por për të arrestuarin, kjo nuk është përballja e parë me drejtësinë për çështje të lidhura me trafikimin e narkotikëve.


Në qershor të vitit 2020, Gjykata e Triestes në Itali e dënoi me 4 vite e 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha. Në janar 2021, ai u arrestua në Shkodër me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në atë kohë, autoritetet italiane e kërkonin për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafikim droge në sasi të mëdha”.


Emri i tij është përmendur edhe në raportime të mëparshme të Policisë së Shtetit, ku së bashku me vëllain e tij ishte bërë objekt verifikimesh nga Operacioni Forca e Ligjit. Verifikimet lidhen me dënimet brenda dhe jashtë Shqipërisë, si edhe me pasuritë dhe aktivitetet ekonomike të familjes.


Sipas raportimeve të asaj kohe, familja kishte pasur aktivitete të ndryshme biznesi në Shkodër, përfshirë një bar-kafe, aktivitet në sektorin e peshkimit në lumin Buna dhe një njësi për tregtimin me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore.

Pesë vite pas arrestimit për llogari të drejtësisë italiane, 41-vjeçari është sërish në pranga, këtë herë në kuadër të një hetimi të SPAK.


Gjatë të njëjtit operacion, Policia dhe BKH kanë ushtruar kontrolle edhe për gjetjen e një tjetër personi të shpallur në kërkim, i cili kërkohet prej vitit 2024.

Ndaj tij, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për akuza që lidhen me trafikimin e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal.

“KORÇA BOOM”


bottom of page