Arrestohet shqiptarja që ndihmoi në vrasjen e 17-vjeçarit
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 1 min read
Dhjetë vite pas vrasjes së 17-vjeçarit shqiptar Ismail Luli në Itali, është arrestuar Ambera Saliji, shqiptarja nga Maqedonia e Veriut, e dënuar me pesë vjet e tre muaj burg për bashkëpunim në krim.
Arrestimi u krye nga Karabinierët, pas një urdhri të lëshuar nga Prokuroria e Urbinos, ndërsa dyshohet se Saliji po përgatitej të largohej drejt Maqedonisë së Veriut.
Ngjarja e rëndë ndodhi në korrik të vitit 2015 në Sant’Angelo in Vado, në provincën e Pesaro-Urbino. Hetimet e autoriteteve italiane zbuluan se Saliji kishte joshur Lulin drejt një takimi, duke e çuar në një pritë të organizuar nga dy shqiptarë të tjerë, Igli Meta dhe Marijo Mema.
Të dy këta u arrestuan menjëherë pas ngjarjes dhe u dënuan me burgim të përjetshëm për vrasjen brutale të të miturit.
Sipas dosjes hetimore, Ambera ishte në një marrëdhënie me njërin prej autorëve dhe kishte vepruar në dijeni të qëllimeve të tyre hakmarrëse. Trupi i 17-vjeçarit u gjet i lidhur me shirit ngjitës dhe me plagë të shumta nga thikat, të cilat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.
Autoritetet italiane konfirmuan se, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, Saliji u lokalizua dhe u arrestua në një zonë të Italisë qendrore. Ajo pritet të vuajë dënimin e mbetur në një institucion penitenciar në Itali.
"KORCA BOOM"



















