Banorët e Zëmblakut në protestë/ 7 vite pa ujë të pijshëm, kërkojnë zgjidhje urgjente
- Korca Boom
- 1 day ago
- 3 min read
Banorët e fshatit Zëmblak në Bashkinë e Maliqit janë ngritur sot në protestë, duke kërkuar zgjidhje për mungesën e ujit të pijshëm. Ata thonë se prej më shumë se 7-8 vitesh jetojnë me një furnizim minimal, vetëm për pak minuta në ditë, çka i ka vënë përballë vështirësive të mëdha në përditshmëri. Protestuesit shprehen të lodhur nga premtimet e përsëritura, ndërsa paralajmërojnë se nëse brenda dy javësh nuk merren masa konkrete, do të marrin vetë situatën në dorë.
"Problem është shumë për ujin. Në mëngjes mund të kem gjysëm ore ujë, kurse në mbrëmje 10 minuta. Unë vij nga puna tërë baltë, tërë tym, s’kam ujë. Sot në mëngjes u rruajta me kanaçe. Ky problem po bën 7-8 vjet a më shumë. E kemi kërkuar por s'ka vënë ujin në zjarr asnjëri. Do t'ju themi e njëherë, nëse s'bëjnë gjë për dy javë, do mblidhemi prapë dhe do ta zgjidhim privatisht çdo familje dhe qeveria s'ka më punë me ne",-tha banori.
Një tjetër banor tregon se furnizimi i ujit nuk mjafton për asnjë nevojë bazë.
"Jemi mbledhur për problemin e ujit të fshatit. Ujë nuk kemi, vjen me orar, në mëngjes 1 orë, në darkë 1 orë dhe gjithë ditën mbetemi pa ujë fare. Dikush ka ndonjë depozitë, dikush e mbledh në mëngjes. Nga depoja e ujësjellësit vetëm 1 orë vjen. Na kanë premtuar që do vijnë dhe nuk po vijnë. Ne jemi të lidhur me Bashkinë e Maliqit, por na ka kaluar te ujësjellësi i Korçës",-tha banori.
Më të moshuarit e fshatit shprehen se janë të braktisur.
"Problemi kryesor është i ujit. Ka 6 vjet na gënjejnë. 400 e ca shtëpi jemi në fshat. Kemi mbetur vetëm pleq këtu dhe kush na e var? Marrim fuçi me karroca me gomerë dhe mbushim në lumin Devoll që të kemi për të larë. Për të pirë kemi vajtur të mbushim në Cangonj. Një orë e ca duam të vemë të marrim ujë për të pirë deri në Cangonj."
"Problem është uji në fshatin tonë, ka vite që është kërkuar, na është premtuar edhe para fushatës elektorale që do të bëhet brenda 2 muajsh ujësjellësi i Zëmblakut. Ka mbetur vetëm në letër, premtime, premtime dhe asgjë. Ne jemi të moshuar e kemi nevojë për ujë. S'na del uji as për të larë sytë. Një orë në ditë vjen, si mund të plotësohen nevojat e këtij populli me 1 orë ujë."
Pas protestës së Zëmblakut, ku banorët e këtij fshati kanë thkesuar mungesën e ujit të pijshem, ka reaguar kryetari i Bashkise Maliq Gëzim Topçiu, i cili ka theksuar se ujësjellësi i Zëmblakut është në procedurë tenderimi dhe pritet që së shpejti të nisë ndërtimi i tij. Ndërsa menaxhimi do të kryhet nga Ujësjellës Kanalizime Korçë.
“Problemi i ujësjellësit të Zëmblakut është kompleks për disa arsye. Ne kemi ndërhyrë si bashki para dy vjetësh, duke ndërtuar dy linja të reja. Aktualisht ka një rënie të burimeve gjithandej, por kjo nuk do të thotë që banorët s'kanë të drejtë. Tani që flasim jemi në procedurë prokurimi nga ndërmarrja e ujësjellësit në Korçë, e cila kryen menaxhimin e gjithë ujësjellësave së bashkisë tonë dhe në rang rajoni. Nga informacionet që kemi, ata janë në fazë tenderimi të një pusi, një stacion pompimi, linjat kryesore por problemi është kompleks. Brenda fshatit ka shumë linja dyfishe, merret ujë nga grup banorësh në linjat e sipërme dhe ujësjellësi i Korçës do të ndërhyjë shumë shpejt për zgjidhjen e kësaj situate. Besoj se brenda këtij viti do të kemi 24 orë ujë edhe në fshatin Zëmblak”,-tha Topçiu.
Ndërsa banorët thonë se durimi i tyre ka mbaruar dhe se nuk do të ndalen pa një zgjidhje të prekshme, bashkia siguron se tenderi i nisur do të sjellë furnizim të qëndrueshëm brenda vitit. Deri atëherë, për fshatin me rreth 400 shtëpi, uji i pijshëm mbetet luks i përditshëm, dhe premtimet e përsëritura, siç thonë vetë ata, janë të vetmet që nuk u mungojnë./CNA
“KORÇA BOOM”
