Bashkia Korçë, miliona euro detyrime dhe gjysma e investimeve të parealizuara
Bashkia Korçë ka akumuluar rreth 668.4 milionë lekë detyrime të paarkëtuara nga taksat dhe tarifat vendore, ndërsa gjatë vitit 2025
Bashkia Korçë ka akumuluar rreth 668.4 milionë lekë detyrime të paarkëtuara nga taksat dhe tarifat vendore, ndërsa gjatë vitit 2025 ka realizuar vetëm 49% të investimeve të planifikuara. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur gjithashtu probleme në administrimin e pronave publike, detyrimet që burojnë nga vendimet gjyqësore, mbledhjen e të ardhurave dhe funksionimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
Rritja e vazhdueshme e borxhit tatimor dallon si problematika kryesore. Në fund të vitit 2025, detyrimet e papaguara ndaj Bashkisë Korçë arritën në 668.4 milionë lekë, nga 632.9 milionë lekë në fund të vitit 2024. Brenda një viti, stoku i borxhit është rritur me rreth 35.6 milionë lekë.
Nga totali i detyrimeve, rreth 324.8 milionë lekë u përkasin bizneseve, ndërsa 343.6 milionë lekë familjarëve. Një pjesë e konsiderueshme e borxhit të bizneseve, rreth 68.8%, përbëhet nga detyrime më të vjetra se pesë vjet.
Sipas KLSH-së, 772 subjekte me status pasiv, të pezulluar ose në proces çregjistrimi kanë detyrime të papaguara në shumën 104.9 milionë lekë, çka shton vështirësitë për arkëtimin e tyre.
Megjithëse administrata vendore ka ndërmarrë masa, përfshirë njoftimet për pagesë dhe bllokimin e llogarive bankare, KLSH konstaton se nuk janë shfrytëzuar plotësisht instrumentet ligjore për mbledhjen e detyrimeve, përfshirë vendosjen e barrëve siguruese dhe sekuestrimin e pasurive.
Problemet me mbledhjen e të ardhurave reflektohen edhe në realizimin e buxhetit. Për vitin 2025, Bashkia Korçë kishte planifikuar të arkëtonte rreth 1.24 miliardë lekë nga taksat dhe tarifat vendore, por realizoi vetëm 891.1 milionë lekë, ose 72% të planit.
Diferenca prej 347.1 milionë lekësh tregon një hendek të konsiderueshëm ndërmjet parashikimeve dhe arkëtimeve reale. Veçanërisht e dobët ka qenë performanca e taksave vendore, ku janë realizuar vetëm 52% e të ardhurave të planifikuara.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë është realizuar në masën 34%, taksa mbi tokën bujqësore 44%, taksa mbi truallin 53%, ndërsa taksa e ndikimit në infrastrukturë nga legalizimet vetëm 28%.
KLSH vlerëson se planifikimi i të ardhurave nuk mbështetet në analiza të plota të potencialit fiskal dhe të bazës së tatimpaguesve.
Problematika me investimet publike
Sipas auditimit mangësi paraqesin edhe investimet publike. Nga rreth 418 milionë lekë të planifikuara për investime gjatë vitit 2025, Bashkia Korçë ka realizuar vetëm 203.3 milionë lekë, ose 49% të fondit.
Kjo do të thotë se rreth 214.7 milionë lekë investime të planifikuara nuk janë realizuar. Sipas audituesve, situata është shkaktuar nga vonesat administrative, mosrealizimi i financimeve të parashikuara, shtyrja e projekteve shumëvjeçare dhe mospërshtatja në kohë e programit të investimeve me mundësitë reale financiare.
Ndërkohë, realizimi i përgjithshëm i buxhetit ka qenë 79%.
Raporti vëren edhe rritjen e detyrimeve të prapambetura. Në fund të vitit 2024, Bashkia Korçë kishte detyrime të mbartura prej 14.9 milionë lekësh, ndërsa gjatë vitit 2025 u krijuan detyrime të reja prej 61.2 milionë lekësh, duke e çuar shumën progresive në rreth 76.1 milionë lekë.
Një peshë të rëndësishme në detyrimet e krijuara gjatë vitit zënë vendimet gjyqësore. Bashkia ka regjistruar shtatë vendime me detyrim financiar prej rreth 38.5 milionë lekësh.
Gjashtë prej tyre lidhen me dëmshpërblime për pensionet e invaliditetit, me vlerë 38 milionë lekë. Së bashku me tarifat përmbarimore prej rreth 5 milionë lekësh, efekti financiar i kësaj kategorie arrin në 43 milionë lekë.
KLSH rekomandon bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë për delegimin e fondeve që do të mundësonin shlyerjen e këtyre detyrimeve.
Administrimi i pasurive publike, mungon dokumentacioni
Edhe Bashkia Korçë roblematika janë konstatuar edhe në administrimin e pasurive publike. Bashkia Korçë administron gjithsej 2,222 prona, nga të cilat 1,965 në pronësi dhe 257 në përdorim.
Nga pronat në pronësi, vetëm 279 rezultojnë të pajisura me certifikatë pronësie dhe 47 të tjera janë në proces certifikimi. Megjithatë, edhe 279 pronat e regjistruara ligjërisht në emër të bashkisë nuk janë pasqyruar në kontabilitet si aktive afatgjata materiale, me argumentin se nuk u është përcaktuar vlera financiare.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu se 10 objekte të ujësjellës-kanalizimeve, me vlerë rreth 38.9 milionë lekë, nuk janë çregjistruar nga pasqyrat financiare të bashkisë, megjithëse duhej të ishin transferuar te shoqëria Ujësjellës Kanalizime Korçë.
Për pasojë, kjo kategori aktivesh është mbivlerësuar në bilanc me të njëjtën shumë. Po kështu, 84 objekte me vlerë 20.3 milionë lekë janë klasifikuar gabimisht në llogarinë e pyjeve, kullotave dhe plantacioneve, ndërkohë që duhej të regjistroheshin si rrugë, rrjete dhe vepra ujore.
Probleme të tjera lidhen me të ardhurat nga administrimi i tokës bujqësore. Në fund të vitit 2025, detyrimet e papaguara për taksën e tokës bujqësore arritën në 95.9 milionë lekë, me një rritje prej 13.2 milionë lekësh krahasuar me një vit më parë.
Sipas raportit, 10,641 familje rezultojnë debitore për këtë taksë. KLSH evidenton mangësi në përditësimin e të dhënave dhe në ndjekjen e procedurave për arkëtimin e detyrimeve, ndërsa emigracioni dhe lëvizjet demografike e kanë vështirësuar identifikimin e debitorëve.
Detyrime të konsiderueshme janë konstatuar edhe nga kontratat e qirasë së tokës bujqësore. Për 11 kontrata rezultojnë të papaguara rreth 39.3 milionë lekë, ndërsa për tri prej tyre bashkia ka nisur procedura gjyqësore.
Parkimi, arkëtime të parealizuara
Edhe administrimi i parkimeve ka rezultuar problematik. Për 320 vende parkimi me pagesë, Bashkia Korçë kishte planifikuar të arkëtonte 14 milionë lekë, por realizoi rreth 13.1 milionë lekë.
Audituesit kanë konstatuar mungesë dokumentacioni të mjaftueshëm për rakordimin ndërmjet mjeteve të parkuara, biletave të përdorura dhe të ardhurave të arkëtuara.
Në disa raste, vendparkimet e rezervuara janë kontraktuar me orare të kufizuara, përfshirë subjekte hoteliere që ushtrojnë aktivitet gjatë gjithë ditës. Nga këto praktika, KLSH ka përllogaritur rreth 1.33 milionë lekë të ardhura të paarkëtuara.
Raporti evidenton gjithashtu mospërputhje ndërmjet të dhënave të Policisë Bashkiake, sektorit të financës dhe Degës së Thesarit për gjobat e vendosura dhe arkëtimet e realizuara. Në një rast, diferenca ndërmjet të dhënave të financës dhe atyre të Thesarit arrin në 368,600 lekë, pa dokumentacion të mjaftueshëm justifikues.
Gjithashtu, një tjetër problem i konstatuar është mungesa e Komitetit të Auditimit në Bashkinë Korçë. Sipas KLSH-së, auditimi i brendshëm nuk ka përfshirë plotësisht në planifikimin e tij fusha me risk të lartë, si prokurimet publike dhe proceset e dhënies së lejeve të ndërtimit dhe zhvillimit.
Bashkia nuk ka miratuar gjithashtu një Kod Etike institucional si dokument të veçantë, ndërsa rregullorja e brendshme nuk është harmonizuar plotësisht me strukturën organizative të vitit 2025./ekofin.al
“KORÇA BOOM”
















