Berat Gjimshiti në prag të sfidës ndaj Letonisë: “Tre pikët janë në dorën tonë, do të japim 100% për ëndrrën e kualifikimit në Botëror”
- Korca Boom
- 22 hours ago
- 1 min read
Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp së bashku me trajnerin Silvinjo në prag të sfidës së nesërme ndaj Letonisë. Futbollistët dhe stafi teknik janë përqendruar maksimalisht në përgatitjet e fundit për këtë takim shumë të rëndësishëm në kualifikimet e Botërorit.
“Sigurisht që ekipi është përgatitur mirë, kemi pasur kohë për të punuar, dhe jemi pozitivë. Nuk do të jetë e lehtë, presioni është i madh, por përqendrimi ynë do të jetë maksimal. Qëllimi ynë është të marrim tre pikë për të vazhduar rrugëtimin tonë dhe për të mbajtur gjallë shpresën për kualifikim,” tha Gjimshiti.
Ai shtoi se analiza e ndeshjes së parë dhe e lojës së fundit të Letonisë me Serbinë ka dhënë mësime të rëndësishme: “Ajo që luajtëm atje nuk ishte e mjaftueshme, kemi bërë gabime, sidomos duke pasur parasysh futbollin modern që nuk është më i thjeshtë si më parë. Shikoja dje Holandën me Lituaninë, fituan 3-2, kjo tregon se çdo ndeshje është e vështirë. Por ne besojmë se nesër situata do të jetë ndryshe. Tre pikët janë në dorën tonë dhe është e rëndësishme që të japim gjithçka.”
Mesazhi kryesor i Gjimshitit ishte i qartë: “Do të japim 100% nga vetja për të realizuar ëndrrën tonë, ashtu siç kemi kaluar dy herë në Europian. Kualifikimi për në Botëror do të ishte historik dhe një gjë e madhe për Shqipërinë. Nesër do të jemi gati, do të japim maksimumin, dhe shpresoj që tifozët të shijojnë këtë përpjekje.”
“KORÇA BOOM”
