Bilanc problematik në Korçë: Dh*në në familje, aksidente rrugore dhe drejtues mjetesh nën efektin e alkoolit
- 3 hours ago
- 2 min read
Strukturat e Policisë në qarkun e Korçës kanë ndërmarrë një sërë veprimesh gjatë 24 orëve të fundit, duke arrestuar dhe proceduar disa shtetas për vepra të ndryshme penale, kryesisht të lidhura me dhunën në familje dhe shkeljet e qarkullimit rrugor.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë arrestuan në flagrancë një 48-vjeçar, banues në fshatin Starje, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtjeje. Gjatë shoqërimit në ambientet e policisë, ky shtetas ka kundërshtuar forcat e rendit, duke i fyer dhe goditur punonjësit gjatë kryerjes së detyrës.
Ndërkohë, specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan një 31-vjeçar në Korçë, i cili u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Po ashtu, nisi procedimi penal ndaj një 38-vjeçari nga Bilishti, i cili në aksin “Bilisht–Miras” humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga rruga. Si pasojë e aksidentit ai mbeti i dëmtuar, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Testi i alkoolit konfirmoi se ai drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Në Pogradec, u referuan materialet në Prokurori për një 33-vjeçar, i dyshuar për ushtrim dhune psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Gjithashtu, dy shtetas, 36 dhe 34 vjeç, banues në fshatin Bletas, u proceduan penalisht pasi u konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin për motive të dobëta në ambientet e një lokali. Gjatë përplasjes, njëri prej tyre theu me grusht xhamin e derës së lokalit.
Në Devoll, policia bëri me dije se është gjetur një 26-vjeçar, i cili ishte larguar nga banesa ku ishte strehuar nga bashkia. I riu, që vuan nga probleme të shëndetit mendor, u rikthye në banesën e tij në Bilisht në bashkëpunim me shërbimet sociale.
Ndërkohë, një aksident rrugor është regjistruar mesditën e sotme në aksin “Korçë–Pogradec”, pranë fshatit Vloçisht, në Maliq. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke lënë të lënduar një drejtues mjeti dhe një pasagjere rreth 40 vjeçe. Të plagosurit ndodhen në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
“KORÇA BOOM”
















