top of page

Bilishti në fokus ndërkombëtar, projekt gjigant për nikelin dhe kobaltin

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Një investim i mundshëm që arrin deri në 1 miliard euro pritet të riaktivizojë minierat e nikelit dhe kobaltit në zonën e Bilishtit, duke sjellë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të Devollit dhe më gjerë.


Sipas raportimeve, grupi grek AKTOR ka hyrë në sektorin minerar shqiptar përmes një marrëveshjeje strategjike me Fondacioni BNI. Projekti parashikon krijimin e një kompanie të përbashkët, ku AKTOR do të zotërojë 51% të aksioneve, ndërsa BNI 49%.


Vlera totale e investimit mund të arrijë deri në 1 miliard euro, me mbështetje financiare kryesisht nga burime amerikane. Ky projekt synon jo vetëm nxjerrjen e mineraleve, por edhe ndërtimin e impianteve për përpunimin e tyre, duke rritur ndjeshëm vlerën ekonomike të investimit.


Zona e Bilishtit konsiderohet një nga më të pasurat në Evropë për këto burime strategjike, me rreth 500 mijë ton nikel dhe 25 mijë ton kobalt. Këto minerale janë thelbësore për industrinë moderne, veçanërisht për prodhimin e baterive elektrike dhe teknologjitë e energjisë së pastër.


Përveç përfitimeve ekonomike, projekti pritet të hapë vende të reja pune, të përmirësojë infrastrukturën dhe të gjallërojë ekonominë lokale. Gjithashtu, kushtet gjeografike të zonës favorizojnë shfrytëzimin me miniera të hapura, duke ulur kostot dhe rritur eficiencën.


Ky investim i mundshëm i jep Devollit dhe Shqipërisë një rol të ri në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit për metalet strategjike të së ardhmes.

“KORÇA BOOM”


bottom of page